Trageti i Linjës Ankona – Durrës me më shumë se 800 pasagjerë në bord ka mbërritur me disa orë vonesë në brigjet shqiptare si pasojë e një defekti teknik.

Trageti që u nis dy ditë më parë nga brigjet italiane parashikohej të mbërrinte ditën e djeshme në Portin e Durrësit, por si pasojë e një defekti në motorë, ka mundur të arrijë vetëm mëngjesin e sotëm.

Mësohet se Trageti ka mbërritur me rreth 18 orë vonesë pasi njëri prej dy motorëve ka dalë jashtë funksioni dhe mjeti lundrues ka lëvizur me gjysmën e shpejtësisë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga “Adria Ferries”, kompani e cila me anë të një njoftimi për shtyp tha se trageti i nisur me datë 28 nga Ankona ka pësuar një defekt teknik dhe do të mbërrijë në Durrës mëngjesin e 30 korrikut.

Kompania po ashtu njoftoi se ka anuluar udhëtimin nga Durrësi drejt Ankonas me datë 29 dhe nga Ankona drejt Durrësit me datë 30 korrik.

Në njoftim thuhet se të gjithë ata që kanë prenotuar bileta do të marrin rimbursim të plotë dhe do të adreseohen për në porte të tjera alternative.

Ndërkohë, trageti që ka mbërritur në terminalin e Durrësit do të ndihmohet nga rimorkiatorët të ankorohet.

Problemi përkon me fluksin më të madh të mbërritjes së emigrantëve shqiptarë nga Italia. Udhëtimi që në total parashikohej të zgjaste 16 orë, i ka mbajtur pasagjerët më shumë se dyfishin e kohës në det.

/tvklan.al