Tatimet nisin hedhjen e shumave në llogaritë e punonjësve

17 mijë e 231 punonjës në bizneset e vogla, kanë tashmë të derdhur në llogarinë e tyre shumën prej 26 mijë Lekësh, si ndihmë financiare që qeveria po jep përmbylljen e aktivitetit të tyre nga masat e marra kundër COVID-19.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raporton një numër të lartë aplikimesh, ku brenda një jave, numri i kërkesave nga ndërmarrjet e vogla arriti në mbi 49 mijë biznese, të cilët kanë kërkuar dhënien e pagave për 85 mijë e 656 punonjës, nga 60 mijë që është parashikuar fillimisht nga qeveria.

Deri tani janë verifikuar të dhënat për 35 mijë e 789 punëtorë, dhe 20 mijë janë kualifikuar për të përfituar pagën e luftës, ndërsa 15 mijë e 153 janë refuzuar. Pjesa e aplikimeve të refuzuara, kanë qenë ose në listën e aktiviteteve të lejuara, ose kanë patur xhiro vjetore më të lartë se 14 milionë Lekë në vit.

Mbeten ende për t’u verifikuar të dhënat për 50 mijë punonjës të tjerë, proces i cili do të përfundojë brenda 10 ditëve.

Qeveria është duke përgatitur një paketë të zgjeruar financiare, ku brenda saj do të përfitojnë pagë edhe biznese të vogla të regjistruara si taksi, servise makinash, lavazhe, rrobaqepësi, fizioterapi dhe profesione të lira në fushën mekanike e elektrike.

Vetë Kryeministri Edi Rama njoftoi se po përgatitet një bonus lufte edhe për individët që punojnë në kompani të mëdha, puna e të cilëve këtë periudhë është ndërprerë, dhe po ashtu edhe për qiramarrësit që nuk kanë të ardhura të tjera për të jetuar.

Tv Klan