MSH-ja ka njoftuar se deri më tani, përmes ueb-faqes vaksinimi.mk, 55.970 persona kanë aplikuar për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Përmes mjekut amë, për t’u vaksinuar janë paraqitur 29.209 persona. Nga ky numër i përgjithshëm, për t`u vaksinuar janë paraqitur 38.000 persona mbi 70 vjeç.

Dje me vaksinimin e 202 punonjësve shëndetësor filloi imunizimi në vend. Konform planit për vaksinimin e punonjësve shëndetësor, fillimisht injektohet personeli mjekësor që kanë punuar ose punojnë me covid-pacientë në klinikën infektive, Spitalin “8 Shtatori”, Institutin për Sëmundje të Mushkërive tek fëmijët “Kozle” dhe klinikat interne që kanë hospitalizuar pacientë.

Nga java e ardhshme do të vaksinohen punonjësit shëndetësor nëpër spitalet e vendit, si dhe spitalet private.

MSH-ja thotë se vendi ynë do të bëhet një nga vendet e rralla në Evropë ku do të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësor që kanë mjekuar pacientë pozitiv me COVID-19.

Vaksinat janë të sigurta dhe të zhvilluara në platforma të sigurta – thonë nga MSH-ja. Nga Serbia, të dielën arritën 4.680 doza nga gjithsej 8.000 të kompanisë Pfizer. Gjatë javës së ardhshme, në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë edhe sasitë tjera nga Serbia.

Deri në fund të Shkurtit, pritet të arrijnë edhe 200 mijë vaksinat nga Kina, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Klan Macedonia