Veliaj: Kemi fuqinë e transformimit edhe pa hyrë në BE

Me rastin e 101-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor, në zonën e Shëngjergjit në kryeqytet u mbollën 10 mijë fidanëve akacie në një sipërfaqe prej 4 ha. Krahas stafit të Shërbimit pyjor dhe studentëve të Universitetit Bujqësor, aksionit iu bashkuan dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“I kemi prerë vetë pyjet, i kemi rrënuar lumenjtë, i kemi gërryer kodrat. Në këtë sens, po ne vetë do duhet t’i kthejmë natyrës, vendit, shoqërisë, atdheut këtë borxh. Ne e kemi fuqinë të transformohemi, kemi fuqinë të mendojmë ndryshe dhe kemi fuqinë të bëhemi europianë edhe pa hyrë zyrtarisht në Bashkimin Europian”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se Bashkia e Tiranës ka krijuar modelin më të mirë në nivel të njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve.

“E kemi shpallur vitin e pyjeve. Nuk është se në një vit do pyllëzojmë gjithë Shqipërinë dhe do mbarojmë punë me pyjet, por janë disa vite në të cilat duam të lëmë më shumë gjurmë, sidomos për pjesën e edukimit. Bashkitë kanë detyrën kryesore të mirëmbajtjes, të administrimit pyjor, por edhe të vjeljes së ekonomisë pyjore. Bashkia Tiranë ka krijuar modelin më të mirë në nivel njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve”.

Veliaj tha se studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, do të kenë mundësi që të kryejnë praktikat mësimore në Kopshtin Botanik.

Klan News