Veliaj me babain e 25-vjeçarit: Inkurajoj drejtësinë deri në fund

Një pemë ulliri për Klodian Rashën, të riun e vrarë nga policia në 8 Dhjetor, është mbjellë në qendër të Tiranës, nga kryebashkiaku Veliaj dhe babai i të riut.

Edhe në këtë ditë, babai i Klodianit zgjodhi sërish të përcjellë mesazhe që distancohen nga dhuna.

“Duke qenë me njerëz të tillë me vlera që mendojnë për gjithçka, për të nesërmen dhe jo vetëm për të sotmen, ka qenë kënaqësi e madhe që ditën e parë që kam deklaruar që Tirana është shpirti jonë, është krenaria jonë. Konsiderata, vlerat, respekti është i pamasë. Me gjithë respektin falenderoj nga zemra që nga dita e parë dhe deri në ditën e 50, të sotmen, të gjithë ata që kanë marrë pjesë në familjen time, nderimet më të mëdha i takojnë kryetarit të Bashkisë që me veprimet e tij bëri të mundur që pesha, ngarkesa dhe dhimbja të përgjysmohet. Falenderoj nga zemra për gjithçka, jam i nderuar që sot mbillet kjo bimë, të shërbejë për brezat e ardhshëm. Tirana është shpirti jonë, është zemra jonë, është krenaria jonë dhe kjo duhet mbajtur e lartë, me ballin lartë. Kjo është ajo që secili nga ne ta mbjellim një lule, jo ta dëmtojmë atë. Veprime të tilla i shërbejnë brezave. Besoj që do të jetë i paharruar emri i djalit tim, por do të jetë dhe shenja e dorës tënde, që edhe djali juaj kur të vijë nesër do të krenohet me veprimin që keni bërë dhe do t’ju japë të gjitha falenderimet për atë që menduat të bënit për djalin tim, por edhe për Tiranën”, u shpreh babai i Klodian Rashës.

Kryebashkiaku vlerësoi qëndrimin e familjes Rasha, dhe pse të gjendur në mes një dhimbje të madhe, ndërsa premtoi se drejtësia do të veprojë.

“Klodi do të jetë i paharruar sa të jetë jeta dhe ky ulli që është simbol i paqes ka mesazhin më të mirë, sa të kem mundësi do inkurajojë që drejtësia të shkojë deri në fund, nëse politizojmë gjithçka i zëmë frymën drejtësisë, nëse inkurajojmë që drejtësia të shkojë deri në fund bëjmë që asnjë baba të mos përjetojë tragjedi të tilla”.

Veliaj kërkoi që të gjithë t’i bashkohen mesazhit të familjes Rasha, për të urryer më pak dhe punuar e dashur më shumë.

Tv Klan