Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Të rriten tarifat e vizave për të huajt që vijnë në Shqipëri. Ka qenë ky propozimi i një prej ambasadorëve tanë në perëndim, çështja më interesante e diskutimeve të sotme në seminarin me krerët e trupit diplomatik shqiptar në botë. Sipas tij tarifat rriten të paktën në nivelin e vendeve si Maqedonia, Rumania, Bullgaria, etj. Deri tani vizat për të huajt që vijnë në Shqipëri kanë qenë pothuajse falas.

Sipas studimeve të bëra rezulton se në rast të aplikimeve të tarifave të tilla, ambasadat nuk do të mbahen më nga buxheti i shtetit, si dhe krijohet mundësia e shtmit të personelit. Ky propozim ka tërhequr vëmendjen e të gjithë pjesmarrësve. Pritet që krerët e Ministrisë së Jashtme, të fillojnë procedurat për zyrtarizimin e rritjes së tarifave të vizave për të huajt që vijnë në vendin tonë.

Gjatë punimeve të ditës së sotme të gjitha drejtoritë e Ministrisë së Jashtme kanë analizuar punën gjatë dy vjetëve të fundit. Në vitet e më parshme kryediplomatët shqiptarë janë takuar në tre grupe, për Europën, Amerikën dhe Lindjen. Ndërsa takimi i sivjetëm është konceptuar si një i tërë për të hartuar dhe zbatuar strategjinë diplomatike shqiptare mbi bazën e zhvillimeve të fundit në rajon./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego