Debatet për rimbledhjen e Kongresit të 3-të të Partisë Socialiste kanë zbritur sot në radhët e deputetëve socialistë të mbledhur në grupin parlamentar. Firmëtarët kundër mbledhjes së seancës përmbyllëse të Kongresit të premten, janë ndeshur me argumenta me kryetarin Nano dhe përkrahësit e tij.

Nano ka paraqitur si argument nenin 15/7 të statutit sipas të cilit 36 kandidatë për Komitetin Drejtues Socialist nuk janë legjitim pasi janë zgjedhur me më pak se gjysmën e votave të delegatëve të kongresit. Nano shtoi se në seancën e së premtes së kongresit delegatëve do tu paraqitet si mundësi e vetme shtimi në statut përbri nenit 7 i fjalisë se është i ligjshëm zgjedhja e kandidatëve në rastet e listave shumë emërore me votim të thjeshtë.

Kjo shtesë sipas Nanos do të legjitimojë 36 kandidatët fitues për në komitetin e përgjithshëm socialist të cilët kanë marrë më pak se gjysmën e votave të kongresit. Argumentat e Nanos janë kundërshtuar nga deputetët Sherifi, Braho e Jupe. Një rrugë të ndërmjetme ka propozuar Zëvëndës Kryeministri Meta. Sipas tij mund të mblidhet KPD-ja me 44 anëtarët që kanë fituar më shumë se gjysma e votave në Kongres dhe kryesocialistët e rretheve.

Sipas Metës në këtë mbledhje të KPD-së do të vendoset mbi fatin e 36 kandidatëve të zgjedhur pa shumicën e votave në kongres. Meta ofroi mbajtjen e një konference kombëtare të PS-së ku duhet të aprovohet neni kontradiktor 15/7 i statutit socialist. Sipas përkrahësve të Nanos është e njëjta përfaqësi e kongresit të tretë, i vetmi organ legjitim në mungesë të komitetit të përgjithshëm drejtues i cili thërret seancën përmbyllëse të kongresit ndërkohë që vendimet e seancës të së premtes janë legjitime nëse në sallë do të jenë më shumë se gjysma e 508 delegatëve./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame