Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, socialistët kanë shpallur objektivin për të fituar mbi 60% të votave në zgjedhjet parlamentare të Qershorit. Për të realizuar objektivat e fushatës, socialistët u kanë kërkuar individëve, që kanë ndërmend të kandidojnë për deputetë, të hartojnë projekte konkrete që do të diskutohen në Kongresin e 5-të PS, në muajin Maj të 2001.

Kryetari Nano tha, se kandidatët socialist nuk do të përzgjidhen me kurrikulat e hartuara në kafenetë e trafiqeve. Sipas Nanos, këta kandidatë duhet të kenë një kontratë morale me partinë, të mendojnë më tepër për hallet e popullit sesa për shtëpinë në Tiranë. Nëse opozita proteston edhe 5 vjet në sheshe, ky do të ishte faji ynë përfundoi Nano, duke kërkuar në emër të socialistëve një mandat të ri qeverisës.

Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues Socialist, ka pasur debate për ndryshimet në ndarjen e zonave elektorale. Në planin politik të vitit 2001, janë parashikuar mitingjet elektorale në fillim të Qershorit. Në këtë mbledhje janë përcaktuar kuotat e reja pagese që anëtarët i detyrohen partisë./tvklan.al

Gazetare – Vladimir Lame