Pas mbledhjes së përbashkët me Kosovën, nesër qeveria shqiptare do të zhvillojë një mbledhje të përbashkët edhe me Maqedoninë. Sipas njoftimit  të kryeministrisë, mbledhja e dy qeverive do të mbahet në Pogradec në orën 14:30, ndërsa  kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas do të dalin në konferencë për shtyp në orën 16:30.

Në fokus të bisedimeve do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë. 

Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis Ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis Ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh. 

Të shtunën Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale.

Tv Klan