Taksa e pronës u la fillimisht që prej datës 1 Prill të mblidhej nga pushteti vendor, por pasi bashkitë nuk arritën të përdorin në kohë metodën e re të vjeljes së saj në bazë të vlerës, qeveria vendosi që agjenti tatimor të jetë kompania e shpërndarjes së energjisë OSHEE.

Në këmbim të kësaj pune, OSHEE do të mbante 4% të shumës së taksës. Pas kësaj nisme të re, bashkitë sërish kundërshtojnë agjentin dhe kërkojnë që taksa të mblidhet nga ato. Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive thotë se vendimi shkel pavarësinë e pushtetit vendor.

Në një letër drejtuar ministrisë së Financave, Shoqata e Bashkive kërkon sqarime se përse është vendosur që OSHEE të mbajë 4% të shumës së taksës dhe kërkon sqarime se si ky agjent do të veprojë në momentin që klienti do të paguajë energjinë por jo taksën e pronës.

Deri në hartimin e kadastrës fiskale, e cila do të krijojë një njësi të posaçme për mbledhjen e taksës së pasurisë, qeveria ka vendosur që qytetarëve tu vilet përmes faturës së dritave tatimi i banesës. Metodologjia e re parashikon që çdo vit të merret 0.05% e vlerës së pronës për familjarët dhe 0.15% për bizneset.

Tv Klan