Në mbledhjen e parë të qeverisë pas marrjes së ftesës për në NATO, si në të gjitha fjalimet e mbajtura pas kthimit nga samiti i Bukureshtit, kryeministri ka bërë një renditje të të gjithë faktorëve dhe aktorëve që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre shekullore siç e ka cilësuar ai. Duke folur për aktorët shefi i mazhorancës nuk ka mohuar rolin e opozitës për të ardhur në marrjen e ftesës, të cilës i ka shtirë edhe dorën e bashkëpunimit për të gjitha reformat që do të bëjnë të mundur anëtarësimin  e plotë në Aleancën Veriatlantike.

Sali Berisha: “Kultura e NATO-s kërkon dhe e integrimit, kërkon që këto 2 projekte të kenë vetëm një debat për to, si të përsoset, por kurrë si të bllokohet. Qeveria dhe opozita pavarësisht nga numri i votave që kanë dhe që mund të kenë në të ardhmen s’duhet të mendojnë kurrë të ecin të ndara në këto 2 projekte të mëdha dhe të shfrytëzoj rastin për të garantuar opozitën se mazhoranca do të jetë plotësisht e hapur të punojmë bashkërisht në këto projekte.”

Duke lavdëruar ministrat e kabinetit të tij, pa harruar dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, kryeministri ka dhënë udhëzime për koordinimin e mëtejshëm të punës për të gjitha ministritë, në mënyrë që distanca kohore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO të shkurtohet.

Sali Berisha: “Unë dua të theksoj këtu se përkushtimi i ministrit Mediu, që ka dhënë dorëheqjen dhe sot zëvendësohet nga  ministri Oketa në këtë kabinet, ka qenë një rëndësi parësore për afrimin e këtyre forcave me standardet e NATO-s. Të shpejtojë secili hapin e reformave, disa detyrime dalin nga negociatat që do fillojnë që ne do t’i përmbushim një për një ato, por secili do të shohë reformat që duhet të kryejë si të rëndësishme detyrat e këtij vendi dhe e kësaj shoqërie, mbasi ishin ato dhe vetëm ato që e bënë Shqipërinë një vend frymëzues.”

E gjithë deklarata që shefi i ekzekutivit ,mbajti në pjesën e rezervuar për mediat, ishte ftesa për NATO dhe detyrimet që rrjedhin për mazhorancën pas kësaj. Mbledhja e Këshillit të Ministrave ka vijuar me miratimin e 50 vendimeve dhe projektligjeve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka