Rama: Do shërbejë për të adresuar çështjet e përbashkëta

Ashtu si vetë nisma, edhe formati i takimit që u mbajt me dyer të mbyllura ishte i pazakontë sepse pas seancës plenare, ku një nga folësit e përzgjedhur ishte edhe Kryeministri Edi Rama, liderët u ndanë në tryeza të veçanta ku diskutuan lidhur me një sërë çështjesh të rëndësishme që shqetësojnë sot jo vetëm Europën, por mbarë globin.

Për kryeministrin Edi Rama ky komunitet është vetëm një proces që sapo ka nisur.

“Ky është në proces tani, por e rëndësishme është që është lancuar një format i ri bazuar në një ide që nuk është e re.  Besoj që projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe të konsolidohet më tutje.”

Madje për ta bërë më konkretë këtë projekt, Rama nuk nguron ta krahasojë atë edhe me nismën tjetër rajonale të Ballkanit të Hapur.

“Nuk më kishte shkuar mendja në këtë krahasim, por është një krahasim i dobishëm për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Është një komunitet vendesh që bashkohen për të adresuar çështje që janë gjithmonë e më të përbashkëta.”

Duke folur për mediat shqiptare pas samitit ai nënvizoi se pjesë e diskutimeve nuk mbetën as financimet ruse në partitë politike europiane.

“Jemi fokusuar më në detaje për çështjet që lidhen me propozimin tonë dhe njëkohësisht dhe për ato që janë çështjet më të nxehta, që nga kriza e përbashkët dhe e përbotshme energjetike tek inflacioni i Putinit dhe patjetër dhe tek forcat e “rublave” në gjirin e shoqërive tona.”

Duke u ndalur te kriza energjetike, ai tha se tashmë ajo do të trajtohet si një krizë europiane, ndërsa konfirmoi edhe praninë e ministrave të energjitikës të Ballkanit Perëndimor në minesterialin jashtëzakonshëm europian që do të zhvillohet po në Pragë.

Gjatë qëndrimit në Çeki, kreu i qeverisë pati një takim të veçantë edhe me homologun grek Qiriakos Mitcotaqis. Zyrat e shtypit të dy kryeministrave nuk dhanë detaje mbi temat e diskutuara, por pyetjes së televizionit Klan nëse kishte një dakordësi mes palëve për ccështjen e detit kryeministri Edi Rama iu përgjigj:

“Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve.”

Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime të veçanta me kryeministrin e Spanjës Pedro Sançez, si dhe atë të Irlandës, Michaeal Martin.

Tv Klan