Liderët e 20 vendeve më të industrializuara të globit u mblodhën këtë të premte në Buenos Aires, për Samitin e G20. Si zakonisht, vëmendjen e mediave e morën liderët kryesorë, me në krye presidentin amerikan Donald Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shfrytëzoi këtë samit për të firmosur marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë dhe Meksikën, tejet e rëndësishme pas anulimit të NAFTA-s, nga vetë Trump.

Pikërisht tregtia pritet të jetë një nga temat kryesore të këtij viti. Vala e tarifave të vendosura mes SHBA-ve dhe Kinës, por edhe sanksionet e fuqive të mëdha ndaj Rusisë, pritet ta nxehë jo pak klimën.

Një tjetër çështje delikate është tensioni i krijuar në Detin Azov mes Rusisë dhe Ukrainës, apo edhe vrasja e gazetarit Xhamal Kashoxhi në konsullatën saudite në Stamboll, por Putin dhe princi Mohamed Bin Salman duket se nuk e ndjejnë presion dhe shfaqen të çlirët në tryezën e rrumbullakët.

Përplasja Ukrainë- Rusi detyroi presidentin amerikan Donald Tramp të anulojë takimin e planifikuar Vladimir Putinin, gjatë këtij Samiti. Vendet perëndimore dhe NATO mbështesin variantin e Ukrainës, se Rusia ka shkelur marrëveshjet detare të vendosura pas aneksimit të Krimesë 4 vite më parë.

Tv Klan