PS-PD: Të përfundojë brenda 15 Marsit, të hapur për propozime

15 Marsi duket një afat ambicioz për të përmbyllur Reformën Zgjedhore nëse palët do të kenë vullnet për t’u dakordësuar për 13 çështje të aspekteve elektorale. Sinjalet pozitive u dhanë në takimin e organizuar me praninë e faktorit ndërkombëtar, ku nuk mungoi ambasadori britanik, që lehtësoi uljen e maxhorancës dhe opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Duke nisur nga 10 Shkurti, tryeza e reformës do të duhet të adresojë një numër të madh çështjesh që kanë të bëjnë me parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, masat kundër shitblerjes së votës, apo dhe ndarjes së politikës nga krimi.

Pas takimit bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh i hapur për çdo propozim të opozitës në forcim të legjislacionit.

“Nëse opozita ka pretendime për forcimin legjislacionit penal, ka çështje të tjera të aspektit organizativ apo propozon skema që mund të jenë më efikase në parandalimin e shkeljeve zgjedhore, le të vijnë me propozime konkrete. Ne do t’i shqyrtojmë dhe patjetër nëse janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it do të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor.”

Dokumenti i dakordësuar nga tryeza e Reformës Zgjedhore, sipas Oerd Bylykbashit, përfshin shqetësimet e ngritura nga opozita, e cila ka gati edhe propozimet konkrete.

“Ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot.

Bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, nuk përjashtoi që nga tryezë të dilet edhe me ndryshime kushtetuese.

“Nëse është e nevojshme do ketë ndryshime edhe në Kushtetutë, jo vetëm në Kodin Zgjedhor.”

Pjesë e diskutimeve të tryezës së Reformës Zgjedhore do të jetë edhe përfshirja e teknologjisë në zgjedhje, votimi i emigrantëve, si dhe çështja e sistemit zgjedhor.

Tv Klan