Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare në Tiranë, mbledhje e cila ka zgjatur për rreth 50 minuta me dyer të mbyllura.

Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka raporton se gjatë këtyre 50 minutave ka folur vetëm kryesocialisti Edi Rama dhe ju ka komunikuar të 8 sekretarëve të PS-së shkarkimin duke filluar nga sekretari i përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe të gjithë sekretarët e tjerë. Deri në Shtator, kur socialistët do të rimbledhin prapë Asamblenë Kombëtare, e cila do të caktojë një datë për një Kongres të jashtëzakonshëm që mendohet se do të mbahet në fund të Shtatorit ose në fillim të Tetorit, detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm do ta mbajë Blendi Klosi.  

Është vendosur dhe emri i ri në krye të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ka pasur një shkëmbim kokë më kokë mes Taulant Ballës dhe Bledi Çuçit. Postin e ministrit të Brendshëm që e mbante më parë Bledi Çuçi e mori Taulant Balla dhe vendin e kryetarit të grupit parlamentar tashmë do ta zërë Bledi Çuçi.

Thelbi i të gjithë fjalimit të Edi Ramës ka qenë në fakt një analizë e të gjithë vitit të fundit, se si ka funksionuar Partia Socialiste. Sipas tij, në një vit, kjo seli “ka vegjetuar dhe është e nevojshme një shkundje”. Kjo është sipas Ramës edhe arsyeja e shkarkimit të 8 sekretarëve. Fitorja e zgjedhjeve sipas kryeministrit Rama, është një tjetër gjë dhe nuk ishte merita vetëm e PS-së, por ishin një sërë faktorësh që reshton ai që çuan në fitoren e thellë të PS-së në 14 Maj.

Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, kryeministri Rama nuk ka preferuar të japë prononcim për mediat./tvklan.al