Pas tre javë ndërprerjeje të komisionit për Reformën në Drejtësi mazhoranca dhe opozita kanë bërë progres në disa prej çështjeve të mbetura pezull, lidhur me paketën e ndryshimeve kushtetuese. Por pesë orë diskutime nuk mjaftuan që palët të gjejnë konsnesus për një nga pikat më të debatueshme, krijimin e institucioneve të reja  të drejtësisë. Ngërci u konfirmua pas mbledhjes me dyer të mbyllura nga kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj dhe demokrati Eduart Halimi.

Eduart Halimi, Nënkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi: 

“Ka mos dakordësi ndërmjet palëve dhe diskutimet do të vazhdojnë, që ka të bëjë me pjesën e institucioneve të reja. Kanë të bëjnë me pjesën e emërimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Për ne i mungojnë elementët e balancës. Ka probleme me kapjen politike dhe që Venecia ka dhënë rekomandime, si dhe ka probleme me korporatizmin.”

Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi: 

“Ka dhe çështje që s‘biem dakord, siç janë institucionet e reja të drejtësisë që ishte dhe çështja më e debatueshme.”

Mësohet se në tryezën e dialogut palët kanë rënë parimisht dakord për të mos ndërprerë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për çështje e kontrrollit të gjyqtarëve.

Eduart Halimi, Nënkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi: 

“Kemi rënë dakord për vetingun, kontrrollin e pasurisë së gjyqtarëve” 

Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi:

”Për shumicën është rënë dakord, arkitektuara e sistemit, instiucionet e reja, strukturën e hetimit dhe ndjekjes penale”

Rinisja e dialogut për Reformën në Drejtësi nuk kaloi  pa u përshëndetur nga ndërkombëtarët. Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate të përbashkët i bënë  thirrje partive politike të dëgjojnë zërin e 91 % të shqiptarëve, që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme, duke e çuar atë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa.

Jolldiz Mitro/Tv Klan