Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket se kanë arritur dakordësi për ngritjen e dy komisioneve hetimore që kërkon opozita.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të drejtuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla me prezencën e Bledi Çuçit nga PS dhe Gazment Bardhit nga PD, këta dy të fundit janë drejt konsensusit.

Bëhet fjalë për dy komisione hetimore parlamentare që kërkon PD; TIMS-in dhe koncesionet në shëndetësi, ku përfshihet ai i “Sterilizimit” dhe “CheckUp”.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Bledi Çuçi, parimisht ka dhënë dakordësi për këto dy komisione që kërkon opozita, siç mëson gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.

Nga 8 komisione që janë propozuar është dakordësuar të rishihet objekti i hetimit për këto dy komisione.

Dy kryetarët e grupeve parlamentare, Bardhi dhe Çuçi, kanë zhvilluar diskutime prej mëse dy javësh për arritjen e një konsensusi.

Opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare në mënyrë që të heqë dorë nga skenari i kaosit në Parlament.

Konferenca e Kryetarëve ka arritur dakortësinë në parim edhe për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.

Palët kanë rënë dakort në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 i cakton Bledi Çuçi – 2 i cakton Gazment Bardhi).

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.  

Kujtojmë se Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 Mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt.

Ndërsa gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, ka mësuar se ditën e nesërme do të ketë sërish mbledhje në orën 13:30 ku persona të autorizuar nga Bardhi dhe Çuçi do të punojnë për zbatimin e marrëveshjes.

/tvklan.al