Qeveria e re e Francës e dominuar nga konservatorët dhe politikanë të qendrës u mblodh për herë të parë të hënën ndërsa kryeministri Michel Barnier vendosi çështjet e buxhetit dhe emigracionit si prioritetet kryesore.

Barnier thirri një takim herët në mëngjes me ministrat e sapoemëruar përpara një sesioni të shkurtër të kabinetit pasdite me presidentin Emmanuel Macron në pallatin presidencial të Elysee.

Lista e shumëpritur e anëtarëve të qeverisë u zbulua të shtunën, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve që prodhuan një parlament të fragmentuar dhe thelluan ndarjet politike ndërsa Franca përballet me sfida financiare dhe diplomatike.

Macron u tha anëtarëve të qeverisë të hënën se një “epokë e re” po fillon pasi situata politike është e paprecedentë në vend dhe u bëri thirrje që “të qëndrojnë në rrugën e kompromisit”.

Duke folur në televizion të dielën në mbrëmje, Barnier pranoi se një sfidë kryesore për qeverinë e tij do të jetë projektligji i buxhetit të vitit 2025 që do të debatohet në parlament duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Barnier bëri thirrje për “përpjekje kombëtare të nevojshme për të korrigjuar situatën” pasi Franca detyrua në fillim të këtij viti nga Komisionit i Bashkimit Evropian për uljen e borxhit publik.

Klan News