Këshilli Politik është mbledhur sërish pasditen e kësaj të shtune ku ka diskutuar për implementimin e marrëveshjes së arritur për reformën zgjedhore.

Mbledhja është fokusuar tek përshtatja e çështjeve të dakordësuara mes palëve në formën e propozimeve ligjore në Kodin Zgjedhor.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë këshill, Damian Gjiknuri tha pas mbledhjes që zgjati rreth 1 orë, se së shpejti drafti do të shkojë për votim në parlament.

Marrëveshja e firmosur mbrëmjen e së premtes e negociuar prej ambasadorëve parashikon që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë ndryshime në mënyrën e ngritjes së komisioneve të votimit dhe atyre të numërimit të votave. Risia është identifikimi biometrik i zgjedhësve që do të shtrihet në të gjithë vendin.

Një tjetër institucion që do të riformatohet është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që do të ndahet në 3 pjesë dhe kryekomisioneri do të zgjidhet me konsesus.

Përmbyllja e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore është një nga kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian.

Tv Klan