Kuvendi do të zhvillojë këtë të enjte seancën plenare të radhës. Në rendin e ditës pritet që të diskutohen dhe miratohen 3 projektligje dhe një projektvendim.

Në pikën e parë të rendit të ditës është parashikuar që të diskutohet për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

Më pas, do të diskutohen projektiligji për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Shqipërisë lidhur me përkufizimin e konceptit të produkteve origjinuese dhe metodat e bashkëpunimit administrativ dhe ndryshimi i marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet vendit tonë, Zvicrës dhe Islandës si pjesë e saj.

Po ashtu pritet që të diskutohet për ratifikimin e huasë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për mbështetjen e përpjekjeve të vendit tonë për zbutjen e pandemisë Covid-19.

Në seancën plenare të kësaj të enjteje pritet që të votohet për zgjedhjen e Denar Bibës si kryetar i Komisionit të Konkurrencës. Në fund është parashikuar që të ketë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Seanca e sotme  plenare zhvillohet në një kohë kur në vendin tonë do të kryejë vizitën e tij të parë zv/ndihmës sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar./tvklan.al