Katër skuadra zbresin sot në fushë, vetëm Teuta favorite për më tej

Mbrëmja e sotme rezervon sfida spektakolare për ekipet shqiptare në Arenën ndërkombëtare. Katër skuadrat e Kategorisë Superiore zbresin sot në fushë, ku tentojnë të bëjnë mrekullinë dhe të shpresojnë për kalimin në turin e tretë të Conference League.

Laçi, Partizani e Vllaznia nuk nisen si favorite respektivisht përballë Rumunëve të Krajovës, Baselit e AEL Limmasol.

Me përjashtim të Partizanit, që luan në orën 20:15, kurbinasit dhe shkodranët zbresin në fushë në orën 19:00, kohë kur në “Niko Dovana” do luajë edhe Teuta, përballë skuadrës dukshëm inferiore në letër, andorianët e Inter Eskaldes. Djemtë e detit do kenë edhe mbështetjen e tifozerisë së tyre në shkallët e stadiumit.

Për këtë sfidë, trajneri Edi Martini nuk do ketë në dispozicion sulmuesin Lorenco Vila për shkak dëmtimi, megjithatë në kampin durrsak janë të sigurt për një rezultat pozitiv dhe kalimin më tej.

Me kualifikimin në raundin e ardhshëm, skuadrat shqiptare do mbushnin edhe xhepat, gjithsesi fillimisht duhet derdhur djersë në një sport që na ka treguar se befasitë janë pjesë e saj.

Klan News