Mbretëresha paraqet planin e qeverisë para deputetëve

Posta

Mbretëresha paraqet planin e qeverisë para deputetëve

17:00 14/10/2019

Synohet dalja nga BE brenda 31 Tetorit

Me karrocë me kalë, siç e do tradita, e shoqëruar edhe nga familja mbretërore, Elizabeta e Dytë e Britanisë së Madhe mbërriti në parlament në orën 11.30 me orën lokale, për të parashtruar në nisje të sesionit të ri parlamentar, planin e qeverisë së Boris Xhonsonit.

Përpara kryeministrit, kreut të dhomës së ulët, opozitës dhe të 650 deputetëve të pranishëm në sallë, monarkja 93-vjeçare theksoi se prioritet i qeverisë është dalja nga Bashkimi Europian brenda 31 tetorit, afatit përfundimtar të përcaktuar nga Brukseli.

Mbretëresha Elizabet II: Prioritet i qeverisë sime ka qenë gjithmonë të garantojë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian më 31 tetor. Qeveria ime ka për qëllim të punojë për një partneritet të ri me Bashkimin Europian, bazuar në tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin miqësor, duke shfrytëzuar mundësitë e reja që krijohen prej daljes nga Bashkimi Europian.

Pjesë e planit që parashtroi mbretëresha janë po ashtu investimet në infrastrukturë, sistemin shëndetësor, krijimin e një sistemi më të ndershëm për tërheqjen e emigrantëve por edhe bashkëpunimi me të gjitha palët në Irlandën e Veriut për të ruajtur stabilitetin dhe unitetin e mbretërisë.

Gjithësesi, analistët thonë se qëllimi i vërtetë që Xhonson kërkoi fjalimin e mbretëreshës, nuk ishte thjeshtë shpallja e axhendës së re qeverisëse. Sipas tyre, ai synonte bllokimin e përpjekjeve të opozitës në parlament për të miratuar ligje që shtyjnë afatin e Brexitit ose pengojnë daljen pa marrëveshje.

Në këtë përpjekje, ai dështoi sepse opozita i shndërroi këto në ligje, pasi parlamenti iu rikthye punës me vendim të gjykatës supreme që e cilesoi bllokimin me 5 javë të kërkuar nga Xhonsoni, si të jashtëligjshëm.

Tv klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT