“Mbretëresha” rikthehet në qytetin e saj

“Mbretëresha” rikthehet në qytetin e saj

18:45 14/10/2019

Një bust për Vaçe Zelën, nismë e këngëtarit Luan Manahasa

“Mbretëresha” e këngës shqiptare, Vaçe Zela, rikthehet në qytetin e saj tashmë me një bust, falë idesë së këngëtarit Luan Manahasa, mbështetjes financiare të Bashkisë Lushnje dhe biznesmenëve myzeqarë.

“Kam filluar ta ideoj dhe organizoj këtë gjë duke folur me biznesmenët e qytetit tim, sepse doja që të madhen tonë, ta mbështesnin biznesmenët e Lushnjës. Doja ta rikthenim ‘mbretëreshën’ në qytetin e saj të lindjes. Më vonë diskutuam edhe me kryetarin e Bashkisë dhe duhet me ia dhënë meritat të gjithëve atyre që u takojnë. Dhe na ka mbështetur plotësisht, kryetari i Bashkisë”, thotë Manahasa në emisionin “Rudina”.

11 herë fituesja e Festivalit të Këngës, e cila u nda nga jeta në Shkurt të vitit 2014 tashmë do të jetë përjetësisht me qytetarët e Lushnjes, me një bust ku shfaqet në një moment që këndon me kitarë.

“Dy pozicionet më të preferuara të Vaçe Zelës, kanë qenë pozicioni në këmbë dhe me krahë të hapur, që gjithmonë e dominonte publikun dhe pozicioni tjetër duke i rënë kitarës dhe duke kënduar “Moj e bukura Arbëri”, ku shfaqet një femër moderne, një femër e lirë dhe vendosëm bashkë me skulptorin Arben Bajo, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Duhej të ishte skulptori më i mirë shqiptar të bënte këngëtaren më të madhe shqiptare. Zgjodhëm Arben Bajon dhe ai na ka nderuar me punën gjigante që ka bërë.”

Për derdhjen në bronz të skulpturës 2 metra të gjatë, Bajo është konsultuar me këngëtarë të kohës. Në aspektin artistik i ka qëndruar besnik skulpturës realiste, pasi figurat e mëdha sipas tij nuk kanë kuptim në abstraksion.

Kemi gati një vit që merremi me mënyrën se si do ta bënim këtë vepër. Të frymëzuar nga kënga e saj “Moj e bukura Arbëri”, mu duk më e udhës që ajo të ishte e ulur me bashkëqytetarët e saj duke kënduar me kitarë”, thotë Bajo.

Manahasa shprehet i kënaqur që më në fund ëndrra e tij iu kthye në realitet dhe ndihet i kënaqur që më në fund Vaçe Zela do të jetë përjetësisht pjesë e qytetit të Lushnjes dhe banorëve të saj. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi