“Rusia duhet të fajësohet për çdo civil të vrarë në sulmin me armë kimike të javës së kaluar në Siri”, është shprehur Ministri Britanik i Mbrojtjes, Majkëll Fellon.

Zyrtari tha se Kremlini është përgjegjës pasi renditet tek mbështetësit kryesorë të regjimit të presidentit Bashar al Assad. 

Ministri britanik e cilësoi sulmin kimik, për të cilin akuzohet gjerësisht qeveria siriane, si “barbar, imoral dhe të paligjshëm”. Ndërsa nënvizoi se sulmet ajrore të presidentit amerikan, Donald Trump ishte kundërpërgjigja e duhur pasi bën që regjimi sirian të mendojë dy herë para se të përdor armë kimike përsëri. 

“Krimi më i fundit i luftës ndodhi në sytë e tyre”, është shprehur Fellon duke iu referuar Rusisë. Ai theksoi se Moska, në vitet e fundit, ka pasur çdo mundësi që të ndalojë luftën civile. Sipas ministrit britanik të mbrojtjes, në Siri nevojitet një qeveri në të cilën Assad nuk duhet të ketë asnjë funksion. Zyrtari i qeverisë së Londrës tha se rrëzimi i Assad nga pushteti nuk është një gjë që arrihet lehtë por nënvizoi se nuk është e pamundur.  

Reagimi i Fellon, vjen pasi Ministri i Jashtëm, Boris Xhonson anuloi vizitën ku do takohej me homologun e tij rus në Moskë. Ky veprim i zyrtarit britanik është cilësuar absurd nga qeveria ruse.