Londra: Nëse nuk tërhiqeni brenda 48 orësh, do të veprojmë!

Britania e Madhe i ka dhënë Francës 48 orë kohë për t’u tërhequr nga mosmarrëveshjet për të drejtat e peshkimit ose përndryshe Parisi do të përballet me veprime ligjore.

Franca pretendon se është Londra që po u lëshon anijeve franceze gjysmën e licencave për të operuar në ujërat britanikë, ndaj ka paralajmëruar që nga e marta mund të bllokojë portet dhe të forcojë kontrollet doganore për mjetet angleze.

Nga ana tjetër Britania e Madhe thotë se po i shpërndan licensat e peshkimit për anijet franceze sipas rregullave në marrëveshjen pas Brexit që nënshkroi me Bashkimin Evropian në Dhjetor të vitit të kaluar, por Parisi pretendon se disa anijeve franceze u është mohuar leja për të operuar në zonat ku ata kanë peshkuar prej kohësh.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, akuzoi palën franceze për sjellje të padrejtë  dhe tha se Franca po vepron jashtë kushteve të marrëveshjes tregtare të Brexit.

 “Francezët kanë bërë kërcënime krejtësisht të paarsyeshme, për kanalin e La Manshit dhe ndaj industrisë sonë të peshkimit. Ata  duhet t’i tërheqin këto  kërcënime ose përndryshe ne do të  kundërpërgjigjemi duke përdorur mekanizmat e marrëveshjes sonë tregtare me BE-në”.

E pyetur se çfarë afati kohor do t’i japë Francës ajo dha këtë përgjigje:

Kjo çështje duhet të zgjidhet në 48 orët e ardhshme“.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri britanik Boris Johnson diskutuan për marrëveshjen e peshkimit të dielën, por bëhet me dije se deri më tani të dyja palët nuk kanë mundur të kapërcejnë dallimet mes tyre.

Marrëdhëniet midis Londrës dhe Parisit janë përkeqësuar që kur Britania votoi për t’u larguar nga BE në 2016. Së fundmi pakti i sigurisë i arritur mes Londrës ,Uashingtonit dhe Canberras shtoi akoma dhe më shumë tensionet mes dy vendeve.

Klan News