Mbretëria e Bashkuar lehtëson marrjen e vizave për ukrainasit





Mbretëria e Bashkuar lehtëson marrjen e vizave për ukrainasit

14:58 03/03/2022

Edhe BE pritet të ‘hapë dyert’ për miliona refugjatë të cilët i ikin konfliktit

Bashkimi Europian vlerëson se deri në katër milionë njerëz po largohen nga Ukraina. Polonia deri më tani ka pranuar më shumë se 575,000 njerëz që nga fillimi i konfliktit, sipas agjencisë së Gardës Kufitare polake.

Por Polonia nuk është e vetmja e cila po mirëpret qytetarët ukrainas pasi edhe Mbretëria e Bashkuar po i mbështet ata. Qytetarët ukrainas të pajisur me nënshtetësi  britanike do te lejohen të sjellin anëtarët e tyre  të familjes që kanë në Ukrainë.Kjo do të ndihmojë mijëra qytetarë të ribashkohen me të afërmit.

Ministria e Brendshme britanike do të përshpejtojë  procedurat  në mënyrë që aplikimet të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë , BE është duke u përgatitur për një krizë refugjatësh. Komisionerja e BE-së për çështjet e brendshme, Ylva Johansson paralajmëroi për ardhjen e miliona ukrainasve nëpërmjet Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Hungarisë, të cilat kanë kufij tokësorë me Ukrainën.

Mediat e huaja raportojnë se ministrat e Brendshëm të bllokut pritet të bien dakord për t’i dhënë automatikisht atyre që ikin nga Ukraina një leje qëndrimi dhe akses në punësim, mirëqenie sociale dhe strehim për deri në tre vite. Masat mbrojtëse, pasi të miratohen zyrtarisht nga qeveritë e BE-së  javën e ardhshme, do t’u japë mundësi  atyre të shmangin procedurat e gjata të azilit.

Klan News













Të ngjashme