Dossier-Për thuajse 50 vjet, tema për Mbretin Zog dhe jetën e tij në mërgim ishte një tabu e paprekshme. Një pjesë shumë misterioze e jetës së tij ishte edhe veprimtaria sekrete e Sigurimit të Shtetit për ta ruajtur dhe për ta përgjuar.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 31.01.2008, trajton jetën në mërgim të Mbretit Zog dhe familjes së tij duke filluar që nga 7 Prilli i vitit 1939 dhe ndjekja që Sigurimi i bënte atij.

Menjëherë pas largimit nga Shqipëria përmes Greqisë, Mbreti Zog vendoset në Stamboll dhe nga aty drejtohet për në Britaninë e Madhe nga ku mund të merrte vendime të rëndësishme për fatet e luftës që pritej të vinte. Për t’iu shmangur korpusit të gjatë europian, ai detyrohet të bëjë një itinerar të gjatë. Ai udhëton përmes Stambollit në Bullgari, Rumani, Poloni, Republikat Balltike, Stokholm dhe më pas në Francë. Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij u larguan nga Franca vetëm 8 orë përpara se trupat gjermane të hynin në Paris. Nga Franca ai vendoset në Britaninë e Madhe. Familja mbretërore detyrohet të qëndrojë në Londër për 8 vite, deri në vitin 1948, duke patur jo pak shpresa se mund të riktheheshin në Shqipëri, me përfundimin e luftës. Por nuk do të ndodhte kështu.

Pas luftës, Britania dukej se po përgatitej për një rend të ri botëror, që do të lindte mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit që kishte parime dhe ideologji të tjera. Në këtë moment do të hynte në funksionim ai që quhej Sigurimi i Shtetit. Nën modelin e shërbimeve jugosllave dhe sovjetike, Shqipëria fillon oganizimin e shërbimit të tij sekret.

Dosja e parë e Sigurimit do të ishte ajo e Mbretit Zog, të cilin e konsideronin si personin me rrezikshmëri më të lartë. Dosja e dytë i takonte Mit’hat Frashërit dhe dosja numër tre, Mehdi Frashërit. Dosja e katërt ishte ajo i Musa Jukës, Ministrit të Brendshëm të Mbretit Zog, i cili survejohej në një mënyrë të jashtëzakonshme. Përmes të dhënave nga miqtë e tyre, Sigurimi i Shtetit fillon t’i ndjekë kudo ku ishin.

Raporti i parë që kishte ardhur ishte ai për Mbretin Zog. Dosja e tij i kishte shkuar Kryeministrit të asaj kohe Enver Hoxhës. Që nga ai moment Mbreti Zog do të ishte në një survejim të detajuar. Në vitin 1948, Mbreti Zog transferohet nga Londra në Egjipt, ku nuk i mungonte miqësia e Mbretit Faruk, njërit prej trashëgimtarëve të fundit të dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës. Një dinastie të vendosur atje në fillimet e 1800-s dhe zyrtarizuar rreth 1830-s dhe që për rreth 100 vjet, drejtoi Egjiptin. Në 1953-n, dinastia u shpërbë me revolucionin e kolonelëve që u vunë kundër tij.

Ndërkohë, Sigurimi vijonte ta përndiqte Mbretin Zog çdo moment duke, i servirur Kryeministrit Enver Hoxha informacione të detajuara rreth tij. Ai transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku blen edhe një pronë, por nuk qëndron gjatë atje dhe kthehet sërish në Egjipt. Ky informacion i vjen menjëherë zyrës së Sigurimit të Shtetit në Shqipëri.

Në vitin 1953 fillon grushti i shtetit, i cili rrëzon brenda një nate përfaqësuesin e fundit të dinastisë shqiptare në Egjipt. Mbreti Zog qëndroi edhe për pak kohë në Egjipt dhe më pas u tranferua në Francë. Sigurimi, i cili e ndiqte në çdo hap, merr këtë informacion dhe e nis drejt diktatorit Hoxha.

Mbreti Zog u vendos në Kanë, ku i shkon një prej agjentëve që Sigurimi i Shtetit kishte infiltruar. Isuf Mullaj, një ish-oficer, i cili ishte larguar nga Shqipëria duke krijuar përshtypjen që ishte i arratisur. Ai ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të bërë karrierë dhe për të qenë i besueshëm për Sigurimin e Shtetit.

Për Mbretin Zog fillojnë ditë të vështira, për arsye të shëndetit të tij. Në fund të viteve 50-të, secili prej spiunëve të Sigurimit tentonte të vinte në provë besimin e tjetrit. Sigurimi i Shtetit nisi të informohej në detaje në lidhje me shëndetin e Mbretit Zog dhe vilën ku ai jetonte. Informacioni i detajuar që i vinte Sigurimit, të bënte të besoje se ky informacion rridhte nga brenda oborrit mbretëror.

Siç dëshmon Isuf Mullaj, një prej personave të afërt të Mbretit, kuzhinieri i tij mund të ishte agjent i Sigurimit të Shtetit. Pas vdekjes në 1949 të Mit’hat Frashërit, Ahmet Zogu mbetej figura më e rrezikshme për Shqipërinë. Në muajt e fundit të jetës së tij, ai u transferua në Paris, ku iu nënshtrua edhe një terapie. Ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Por këtu nis edhe misteri më i madh. A ishte realisht një sëmundje natyrale, apo ishte viktimë e një helmimi me efekt të ngadaltë?

Dëshmitarët e familjes ishin gati të betoheshin se nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe se Mbreti Zog ka patur vdekje të natyrshme. Por njerëz pranë Sigurimit të Shtetit dëshmojnë se Mbreti Zog realisht ishte helmuar.

Ka vetëm një dëshmi që mund të tregojë se Sigurimi i Shtetit ishte mëse i përgatitur ta bënte një gjë të tillë. Bëhet fjalë për një material të shkruar me dorë që i bashkangjitet dosjes së Zogut dhe që ishte firmosur në fund të tij nga Ministri i Brendshëm, Kadri Asbiu. Në materialin prej 6 faqesh bëhej i detajuar plani për helmimin e Mbretit Zog. Kishte vetëm një pikëpyetje në atë material, nëse helmimi do të bëhej i ngadaltë apo do të gjendej një mënyrë që të helmohej bashkë me familjen e tij. Sigurimi i Shtetit kishte përcaktuar në detaje se si do të ndodhte helmimi.

Në fillim të vitit 1961, Mbreti Zog kishte shqetësime të mëdha, ditën e përvjetorit të Lekës, ai kishte rënë në kllapi dhe 4 ditë më vonë kishte dhënë shpirt. Më 12 Mars të vitit 1962, Sigurimi arshivon dosjen e Mbretit Zog për ta konsideruar atë një mision të mbyllur. /tvklan.al