Pala mbrojtëse e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kërkoi që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ta dorëzojë sa më shpejtë dosjen paraparake të lëndës, në mënyrë që ata të mund të përgatiten për hetimin.

Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Avokati i Veselit, Ben Emmerson, gjatë konferencës së tretë statusore, të martën kërkoi që dorëzimi i kësaj dosjeje të ndodhë në fillimit të prillit. Por, Prokurori i Specializuar, Jack Smith tha se viktimat apo dëshmitarët janë arsyeja kryesore që dorëzimi i dosjes paragjyqësore apo paraprake duhet të lidhet me datën e gjykimit.

Në adresimin e tij të parë para Dhomave të Specializuara, Smith tha se frikësimi i dëshmitarëve “është realiteti i kësaj çështjeje dhe do të mbetet realitet”.

Ai tha se ka frikë se nëse dosja paraprake nxirret muaj më herët sesa data e nisjes së gjykimit, ajo do të mund të përdoren informacionet që përmban për të frikësuar dëshmitarët. Ai tha se për të zvogëluar një rrezik të tillë janë vendosur masa mbrojtëse, por sipas tij, edhe me këto masa, nuk eliminohet komplet rreziku i frikësimit të dëshmitarëve.

“Është e rëndësishme që t’i jepet mbrojtjes kohë dhe burimet që të përgatitet për gjykim. Është në interesin tonë dhe të mbrojtjes”, tha Smith.

“Unë kam frikë se mbrojtja po përpiqet ta vonojë këtë çështje dhe do ta realizojë këtë nëse vazhdon të veprojë kështu”, tha Smith.

Ai tha Zyra e Prokurorit të Specializuar është për një gjykim sa më të shpejtë dhe data e nisjes së gjykimit duhet të lidhet me dorëzimin e dosjes paraprake, pasi sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që të menaxhohet kjo çështje. Ai tha se ZPS-ja synon që të sjellë drejtësi për viktimat dhe për Kosovën.

Mospajtime për nxjerrjen e materialeve

Në nisje të kësaj konference, Prokuroria e Specializuar tha se është duke vazhduar nxjerrjen e materialeve, përfshirë edhe atyre shfajësuese. Nga Prokuroria folën edhe për dëshmitarët dhe tha se lista do të bëhet publike për palët mbrojtëse në momentin e duhur.

Por, avokati i Thaçit, David Hooper, tha se deri tani janë informuar për 124 dëshmitarë, të cilët Prokuroria ua ka identifikuar vetëm me pseudonime. Ai kërkoi nga Prokuroria që t’ua dorëzojë listën e dëshmitarëve që do të përdorë në gjyq, në mënyrë që mbrojtja të kryejë hetimet e duhura.

Mbrojtja e Thaçit po kërkon dokumentet me hollësi që lidhen me dëshmitarët, në mënyrë që ata të mund të përgatisin mbrojtjen.

Prokuroria ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të përdorë të gjithë dëshmitarët në gjyq dhe argumentoi se për disa nga dëshmitarët do të duhet të vendosen masa mbrojtëse. Megjithatë, Zyra e Prokurorit tha se mendon se do të përdorë shumicën e dëshmitarëve.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se Prokuroria “i ka varrosur provat relevante në një mal provash jorelevante”.

Ai u ankua se ka një “kaos” sa i përket nxjerrjeve të materialeve, duke thënë se Prokuroria duke nxjerrë materialeve voluminoze dhe duke mos treguar se cilat dëshiron t’i përdorë, po ia pamundëson mbrojtjes që të përgatitet për gjykim.

Por, Prokuroria tha se komentet e Emmerson janë një “retorikë” dhe se ai po flet në mënyrë të përgjithësuar. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se së bashku me dorëzimin e materialeve te mbrojtja, ua ka dorëzuar edhe udhëzim specifik për këto materiale.

Mbrotja e ish-krerëve të UÇK-së thotë se Prokuroria po ua dorëzon materialet, duke mos treguar hollësi për to, duke argumentuar se ata e kanë të vështirë që të bëjnë lidhjen e materialeve që pranojnë, me rastin ndaj klientëve të tyre.

Mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit u pajtuan se janë të pakënaqur me mënyrën se si Prokuroria po nxjerr materialet për këtë rast gjyqësor.

Avokati i Selimit, David Young tha se “jemi në një rrugë pa krye”, teksa foli për mënyrën sesi Prokuroria ka nxjerrë provat.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk po marrin pjesë fizikisht në këtë seancë, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL