Gazetarja e “Stop” është ndalur në lagjen “5 Maji” për një ankesë të qytetarit Dukagjin Qerimi, i cili thotë se prej 1 muaji i kanë ndërprerë përkrahjen sociale.

Familja e tij përbëhet nga 5 anëtarë dhe prej 3 vitesh trajtohet me përkrahje sociale, në shumën 6 300 lekë. Këtë vit djali ka mbushur 18 vjeç dhe po vazhdonte gjimnazin. Pasi ka mbaruar shkollën duhet të regjistrohej në Zyrën e Punës edhe pse ai po aplikonte për shkollën e lartë.

Dukagjini thotë se ka shkuar tek Njësia Administrative Nr.8, ku i kanë dhënë këtë përgjigje. Ndërsa nga Shërbimi Social i shpjegojnë se përkrahja sociale i takon deri në Tetor të këtij viti, kohë kur dalin rezultatet e universiteteve.

“Unë jam Dukagjin Qerimi. Prej 3 vitesh trajtohem me ndihmë ekonomike. Familja ime përbëhet nga 5 anëtarë. Pasi erdha në Zyrën e Asistencës Sociale pranë Njësisë Numër 8, na komunikuan ndërprerjen e asistencës sociale. Arsyeja ishte sepse është bërë djali 18 vjeç dhe sipas atyre nuk ka të drejtë. Ai konkurron për shkollë të lartë, domethënë afati ishte shumë i shkurtër, për 1 muaj. Më thanë që do paraqitesh tek Shërbimi Social. Pasi u paraqita atje, më thanë që kjo familje nuk ka dalë jashtë sistemi, sepse ne nuk kemi të drejtë që një gjimnazist për një muaj ta nxjerrim nga asistenca sociale. Do t’ju heqim nga asistenca sociale vetëm në muajin Tetor, nëse nuk vazhdon shkollën e lartë. Ndërsa këta thonë të kanë hequr, tani hajde e merre vesh më kanë hequr apo jo”.

“Ose do e ndaj nga familja ose ta nxjerr në punë, ta le pa shkollë, sipas këtyre. Kur kërkoj vetë, të kërkojë edhe djali, ta lenë pa shkollë, o burra që si të mund ta dërrmojmë, ta shkatërrojmë këtë familje shqiptare. Përkrahja sociale është qesharake, 63 mijë lekë të vjetra. Unë kërkoj të verifikohet padrejtësia që është bërë dhe të bindem edhe unë që kam të drejtë për këtë punë”, tregon denoncuesi.

Me anë të kamerës së fshehtë, Dukagjini iu drejtua Njësisë Administrative Numër 8, për të marrë përgjigje për ndërprerjen e përkrahjes sociale.

Denoncuesi: Unë qeshë atje tek Shërbimi Social, lart ku më çuat ju. Mua më thanë, që nuk është prerë asistenca. Si është e vërteta? Është prerë, apo nuk është prerë asistenca?

Njësia administrative: Asistenca është prerë, se unë të thashë, që ka dalë një përgjigje.

Denoncuesi: Po atje ku më çove ti, në kat të pestë, më thanë që nuk ka dalë nga skema kjo. Sepse ligji thanë e ka, që një nxënës i vitit të katërt në Tetor i pritet dhe jo në…

Njësia administrative: Nuk e presim neve si njësi.

Denoncuesi: Po ata më thanë që s’e kanë prerë ata, por juve si njësi, bile foli edhe në telefon me juve.

Njësia administrative: Po unë edhe ta printova përgjigjen, që të ka dalë nga sistemi.

Denoncuesi: Po se ata thanë nuk e kemi në sistem. Si thua ti?

Njësia administrative: Tani, se çfarë thonë ata, unë nuk e di.

Denoncuesi: Po!

Njësia administrative: Është ndihma ekonomike, sepse djali jot, në momentin që mbush 18 vjeç duhet të shkojë tek zyrat e punës dhe unë të kam njoftuar për këtë, qëkur djali ka mbush 18 vjeç dhe ke thënë, që është në shkollë dhe ke sjellë vërtetimin e shkollës deri në Qershor. Për muajin Korrik edhe Gusht, ai është dashur të paraqitet tek Zyra e Punës, të njoftojë që unë jam nxënës për student, për këto dy muaj dua të regjistrohem.

Më pas tek njësia administrative shkoi gazetarja e Stop.

Njësia administrative: Në momentin, që ka mbaruar shkollën, siç është rasti në fjalë, duhet të shkojë tek zyrat e punës, të marrë kartonin e papunësisë. Djali ka bërë 18 vjeç në Janar dhe deri në periudhën Qershor-Korrik, që mbyllet shkolla, është në rregull. Në periudhën Gusht deri në muajin që do dali fitues universiteti, i duhet kartoni i papunësisë patjetër.

Gazetarja: Nga komunikimi që keni patur ju me Shërbimin Social është thënë që arsimi dhe punësimi është bërë gabim dhe nuk është check-uar shkolla dhe si rrjedhojë është refuzuar.

Njësia administrative: Jo, jo s’ka lidhje me check-imin. Check-imi bëhet që në fillim dhe djali figuron në shkollë.

Gazetarja: Ju komunikoni me Shërbimin Social?

Njësia administrative: Jo shumë!

Gazetarja: Sepse është një informacion, që atje është ndryshe dhe këtu është ndryshe.

Njësia administrative: Tani me ligj është rajonalja që është vendimtare, përfiton personi apo jo./tvklan.al