Prokuroria e akuzon për 3 vepra penale

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-kreun e bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun dhe dosjen ia ka dorëzuar Gjykatës.

Kajmaku është marrë zyrtarisht i pandehur për 3 akuza, “Falsifikimi i vulave dhe stampave”, “falsifikim i dokumenteve zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Ish-numri një i Bashkisë së Vorës vazhdon të jetë në kërkim prej Nëntorit të kaluar, pasi policia nuk e ka arrestuar ende. Kajmaku, akuzohet nga Prokuroria se ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, pasi KQZ i kishte hequr mandatin atij, për shkak se kishte fshehur një hetim në Greqi, për përdorim të parave false.

 Ishte Partia Demokratike që denoncoi publikisht Kajmakun, me pretendimin se kishte fshehur këtë dënim në formularin e dekriminalizimit.

Edhe pse KQZ i hoqi mandatin, Kajmaku emëroi shefin e tij të kabinetit Gentian Picarin në postin e kryetarit, por Prokuroria thotë se ashtu si në shkarkimi e dy nënkryetareve, edhe në këtë vendim ai ka falsifikuar datën.

Tv Klan