“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko që akuzohet se në bashkëpunim me 4 persona të tjerë kanë transferuar kundrejt shumës prej 3 mijë euro një të burgosur nga një ambient në një tjetër”.

Emri i Arben Çukos doli gjatë hetimeve të prokurorisë ndaj grupit Avdylajve, e njohur ndryshe si dosja 339. Në gjyq kanë përfunduar edhe Artur Balla, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, si dhe shoferi i Çukos, Qerim Masha, i cili dyshohet se është personi që marri shumën prej 3 mijë Eurosh. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se këta persona kanë transferuar nga burgu i Burrelit drejt burgut të Fierit, Olsi Karagjozin. Mbi Çukon rëndon akuza e “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.”

Më herët Prokuroria dërgoi në gjyq pjesën e parë të dosjes 339 ku të pandehur përfunduar 12 persona. Ata akuzohen për trafik drogë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Po për të njëjtën dosje, Prokuroria vazhdon hetimet edhe për disa grupe të tjera kriminale që u arrestuan gjatë operacionit VOLVO-4. Hetimet vazhdojnë edhe për akuzat e shit-blerjes së votave në Durrës, ku pjesë e dosjes janë disa përgjime të cilat u bënë publike nga gazeta gjermane “Bild”.

Tv Klan