Ardian Çapja, zyrtarisht i pandehur për vrasjen e 2012




Ardian Çapja, zyrtarisht i pandehur për vrasjen e 2012

13:23 15/06/2021

Akuzohet se urdhëroi ekzekutimin e Nezir e Gentian Beqirit

Ardian Çapja është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në qytetin e Elbasanit.

SPAK ka përfunduar hetimet për këtë çështje dhe i ka komunikuar 53-vjeçarit akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”. Gjithashtu mbi të rëndon edhe akuzat për veprat penale organizim dhe pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal” si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Të njëjtat akuza SPAK ka ngritur edhe ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë Ervis Bardhit, si dhe Olsi Lekut, Klajdi Dokollit e Florenc Çapjas të arrestuar më herët për të njëjtën çështje. Ky i fundit është ndaluar në Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare.

Burime nga SPAK thanë se është përpiluar kërkesa për ekstradimin e tij dhe do ta nisin atë menjëherë sapo të marrin njoftimin zyrtar për arrestimin nga autoritetet policore në Dubai.

Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012 nisi të zbardhet kur Ervis Bardhi vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, pasi hetuesin zbuluan gjurmët e gishtërinjve të tij në targën e automjetit që u përdorë autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Bardhi tregoi se vrasjen e kanë kryer për llogari të Ardian dhe Florenc Çapjas dhe në këmbim kanë marrë 50 mijë euro. Bashkëpunëtori ka rrëfyer se Gentianin e ka ekzekutuar ai me 4 plumba në kokë ndërsa Nezirin e ka vrarë Olsi Leku.

Për këtë ngjarje Ardian dhe Florenc Çapja kishin paraqitën si alibi se një natë para vrasjes kishin qenë në Maqedoninë e Veriut. Dyshohet se vrasja e Gentian Beqirit u porosit për shkak se ai po gjykohej për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005.

Ardian Çapja u arrestua në 29 Mars gjatë operacionit të koduar “Krasta” të zhvilluar në zonën e Elbasanit.

Tv Klan





Të ngjashme