Efektivi i policisë akuzohet për vrasje me dashje

Nevaldo Hajdaraj, polici i forcave Shqiponja që qëlloi Klodian Rashën mëngjesin e 8 Dhjetorit 2020, do të akuzohet për vrasje me dashje.

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të ndryshojë akuzën, nga vrasje në kapërcimin  e kufijve të mbrojtjes së nevojshme, në vrasje me dashje, pasi u vërtetua se 26-vjeçari Klodian Rasha, nuk kishte patur armë me vete dhe se nuk ka qenë një kërcënim për oficerin e policisë.

Prokuroria thotë se pistoleta e gjetur 200 metër më larg vendngjarjes, nuk ka qenë e Klodian Rashës pasi nuk u gjetën gjurmë të tij. Edhe nga kamerat e sigurisë dallohet që Nevaldo Hajdaraj e qëlloi 26-vjeçarin, pasi nuk mundi ta ndalonte dot dhe në momentin që i riu po vraponte drejt banesës, e qëlloi dy herë, duke i shkaktuar vdekjen.

Dosja tashmë do t’i kalojë gjykatës, e cila do të japë vendimin për Nevaldo Hajdarajn, i cili rrezikon deri në 20 vite burgim. Nevaldo Hajdaraj më herët ka shfaqur pendesë për veprimin dhe i kërkoi falje familjes Rasha.

Vrasja e Klodjan Rashës shkaktoi një valë protestash në Shqipëri, qytetarët u përplasën me policinë në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera. Edhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen menjëherë pas ngjarjes.

Tv Klan