Që sot, ligjërisht, lokalet e Parkut Rinia janë të mbyllur për klientët e tyre. Sot iu është vënë firma përfundimtare ndalimit të çdo aktiviteti tregtar aty. Që sot të 90 lokalet e parkut, nga kioskat deri tek 5 katëshet, mbyllin jetën e tyre gati 10-vjeçare. Ashtu siç u premtua dje, përfaqësues të Policisë Ndërtimore, Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Rendit, sot kanë shkuar lokal më lokal ku kanë nxjerrë klientët e fundit jashtë dhe u kanë komunikuar pronarëve mbylljen e lokaleve.

Nga sot, brenda 5 ditëve pronarët kanë mundësi të shpëtojnë dhe të marrin çtë mundin nga lokalet e tyre pasi me kalimin e afatit në park, do të hyjnë buldozerët shkatërrues. Për t’a ndjekur nga afër operacioni në park, ishin sot dhe Komandant Havari dhe Bizhga. Në fakt të gjithë pronarët e lokaleve u janë bindur urdhrit të qeverisë Meta duke bllokuar aktivitetin e tyre në Parkun Rinia. Madje një pjesë e tyre kishin nisur çmontimin që mbrëmë.

Tashmë pas ditës së sotme, në 5 ditët në vazhdim, pronarët e lokaleve do të mund të transportojnë mallrat për t’ia lënë më pas radhën vetëm rrafshimit të lokaleve. Deri atëherë i gjithë Parku Rinia do të ruhet nga forca të shumta policore që do të ruajnë zbatimin e urdhrit të mbylljes së lokaleve. Pas buldozerit që do të rrafshojë gjithçka, do të nisë punë për kthimi në idententitet të Parkut Rinia ashtu siç ka qenë 10 vjet më parë./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj