Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha parqeve në Kosovë nga ora 08:00 deri në ora 20:00, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Në një komunikatë për media është thënë se Policia e Kosovës do të vëzhgojë të gjitha këto hapësira dhe nuk do të lejojë asnjë qytetar afër.

Përveç kësaj, ky grup ka urdhëruar dyqanet, që lejohen të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kohën e përhapjes së koronavirusit, të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.

“Gjithashtu nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafes si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take Away), pavarësisht llojit të shërbimit primar”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri./REL