Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë

Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë

19:08 06/10/2019

Nis procesi i numërimit të votave, pjesëmarrja 44 %

Qytetarët kosovarë iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për të zgjedhur mes 25 subjekteve politike dhe 5 kandidatëve kryesorë që do të qeverisin vendin në 4 vitet e ardhshme. Votimi u zhvillua i qetë në të gjithë vendin, me përjashtim të disa problemeve të konstatuara nga monitoruesit.

“Qytetarët kanë pasur vështirësi që të gjejnë vendvotimin e duhur. Kjo anomali është shfaqur në 1280 vendvotime, ku prin Prizreni dhe Peja me nga 107 raste. Është një numër prej 317 personash që janë lejuar të votojnë me dokumente të vlefshme, por me afate të skaduara. Ofrimi i asistencës vazhdon të mbetet një nga çështjet e identifikuara më se shpeshti në vendvotime”.

Përmirësimi i kushteve ekonomike dhe rritja e punësimit për të frenuar largimin e të rinjve jashtë vendit janë ato çfarë qytetarët presin nga qeveria e re.

Liderët kryesorë të vendit dhe ata të partive politike ishin ndër të parët që iu drejtuan kutive të votimit. Sondazhet e deritanishme kanë treguar se asnjë nga partitë nuk do të kenë votat e mjaftueshme për të formuar të vetme qeverinë. LDK-ja dhe Vetëvendosja që renditen në krye të sondazheve kanë lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi paszgjedhor. E pyetur për këtë, kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani tha se çdo kalkulim do të bëhet pas daljes së rezultateve.

Një aleancë mes Kurtit dhe Osmanit është komentuar si një lëvizje që mund të mënjanojë nga qeverisja ish-drejtues të UÇK-së, por edhe si një perspektivë e re për dialogun Prishtinë-Beograd.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi