Hyjnë në fuqi masat kufizuese në disa vende të Europës. Shtohen të prekurit

Vala e dytë e përhapjes së Covid-19 ka vendosur në gatishmëri një pjesë të konsiderueshme të shteteve europiane.

Ministri çek i Shëndetësisë, Roman Prymula, ka bërë të ditur se sot hyn në fuqi bllokimi i pjesshëm. Të gjitha shkollat përveç kopshteve, konviktet e universiteteve, restorantet dhe baret do të mbyllen për gati 3 javë.

Fundjavën e kaluar në Çeki nisi mbyllja e institucioneve kulturore publike dhe atyre sportive, si pishinat, palestrat etj. Masat do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 2 Nëntor.

Masa të njëjta ka ndërmarrë edhe kreu i Elizesë, Emmanuel Macron, ku në një dalje publike bëri të ditur se duke filluar nga ora 20:00 në të gjitha qytetet ku nivelet e infeksionit janë të larta si Parisi, Bordoja dhe Marseja, baret, shkollat dhe restorantet do të mbyllen. Po ashtu autoritetet kanë bërë thirrje që maska të mbahet edhe në ambientet e jashtme në këto zona.

Në vetëm 24 orë, në Francë numri i të infektuarve shënoi sërish një rekord, gati 13 mijë, duke kapur totalin e 756 mijë ndërsa ata që kanë humbur jetën kapin shifrën e 33 mijë. Po ashtu edhe qeveria spanjolle do të vendosë sot nëse do të mbyllë baret dhe restorantet pasi të shtruarit në spital vetëm në 24 orë kanë arritur në 984.

Në Itali hyn sot në fuqi mbyllja e shërbimit në restorante në orën 21:00. Janë ndaluar të gjitha festat në ambiente të mbyllura e të hapura, ndërsa në ceremoni të ndryshme nuk lejohen më shumë se 30 persona. Në kinema e koncerte lejohen deri nga 200 persona, në ambiente të mbyllura, deri në 1 mijë në ambiente të hapura. Në disa zona si Lombardia etj, maska është vendosur me detyrim që të mbahet edhe në ambientet e jashtme pasi rreziku mbetet i lartë.

Holanda shënoi këtë mërkurë rekordin e infektimeve ditore, me mbi 7300 raste të reja, shifra më e lartë e regjistruar që prej nisjes së pandemisë. Shtrimet në spitale janë pranë kufijve maksimalë të kapaciteteve. Infektimet janë të larta edhe në Britaninë e Madhe me afro 17 mijë raste të reja.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh e shqetësuar nga rritja e rasteve me Covid-19 në Gjermani. Sipas Merkel në të gjithë vendin do të vijojnë që të mbeten në fuqi masat e reja, si mbyllja e bareve dhe restoranteve, si dhe maska e detyrueshme edhe në rrugë në ato zona ku rreziku i transmetimit të virusit është më i lartë. Aktualisht Gjermania ka rreth 335 mijë të infektuar dhe 9740 vdekje.

Klan Plus