Mbyllen votimet për President në Maqedoninë e Veriut

Mbyllen votimet për President në Maqedoninë e Veriut

19:59 21/04/2019

Deri në orën 19:00 qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë mundur të realizojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë për kandidatët në zgjedhjet presidenciale. Pas mbylljes së vendvotimeve pritet që të fillojë numërimi i votave. Gara për president të shtetit u zhvillua në mes kandidatëve: Stevo Pendarovski, i kandiduar nga partitë në pushtet, Gordana Siljanovska, kandidate e VMRO-DPMNE-së, si dhe Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencën e radhës njoftoi se deri në ora 18:30 minuta vetëm 39.71 për qind e votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Sipas kreut të këtij institucioni, procesi zgjedhor ka kaluar pa probleme dhe pa ndonjë incident të theksuar.

Mbi tre mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën votimet sot në Maqedoninë e Veriut, ndërsa qytetarët kanë shprehur shpresa të ndryshme nga zgjedhja e Presidentit të ri të vendit.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka regjistruar dy raste të fotografimit të fletës së votimit në Aerodrom dhe Krivogashtani.

Kandidati i pavarur në zgjedhjet presidenciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Blerim Reka ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore të Butelit, “Zhivko Brajkovski”. Pas votimit, Reka u shpreh i bindur se këto zgjedhje do të dëshmojnë se RMV-ja është e përgatitur për nisjen e negociatave integruese me Bashkimin Evropian (BE).

Kandidatja për president, Gordana Siljanovska-Davkova, pas votimin në Shkollën Fillore, “Kole Nedelkovski”, tha se në këto zgjedhje duhet të dëshmojmë kapacitetin evropian. Ajo shfaqi shpresën se do t’i jepet fund periudhës transitore.

“Në fund të ditës, pres që të realizojmë fitore të bindshme e cila do të na japë mundësi që në rrethin e dytë zgjedhor, definitivisht ta marrim mbështetjen masive të qytetarëve, për rrugën që Maqedonia e Veriut e kalon në dy vitet e fundit, a ajo është më larg izolimit dhe më afër Evropës në të cilën realisht përkasim”. Kështu deklaroi kandidati presidencial i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski, pasi e realizoi të drejtën e tij të votimit në lagjen Autokomandë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot në mëngjes votoi në fshati Forinë me bashkëshorten e tij. Para se të vijë në vendvotim është informuar dhe e ka kontrolluar listën zgjedhore për të parë nëse gjendet në të, sepse siç tha, për referendum nuk ishte në listë. “Këto zgjedhje sigurojnë një prej funksioneve në shtet dhe e sigurojnë funksionalitetin e shtetit me çka duhet të sigurohet stabilitet në jetën politike në vend. Njëherit dëshiroj që zgjedhjet dhe tërë procesi të vijojnë qetë siç filluan në mëngjes ashtu të përfundojnë deri në fund. ka thënë Xhaferi.

Kryetari i Bashkimit për Integrim, Ali Ahmeti sot votoi në fshatin Zajas të Kërçovës, nga ku tha se zgjedhjet të jenë të lira dhe sipas të gjitha standardeve. “Vota juaj sot e ndihmon ecurinë e vendit drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian, barazisë gjuhësore edhe në presidencë si dhe parimit të konsensualitetit si mjet në duart tona për ta parandaluar defaktorizimin e votës shqiptare, mbivotimin, margjinalizimin dhe mospërfilljen”, deklaroi Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot votoi në vendvotimin 1899 në Livadhi të Strugës, nga ku tha se pret zgjedhje demokratike dhe të drejta. “Qytetarët të dalin të votojnë në mënyrë të qetë. Të japin votën e tyre për atë për të cilën kanë vendosur. Të votojnë për shtet juridik, të votojnë për shtet për të gjithë, për vazhdimin e rrugë drejt NATO-s dhe BE-së”, tha Sela.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot e realizoi të drejtën e votës në vendvotimin 1947 të locuar në objektin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë në orën 11:30. “Tani kemi një mundësi të shkëlqyer për të dëshmuar që në vitin kur Maqedonia duhet të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe të fillojë negociata aderuese për BE-në që të dëshmojmë se jemi të gatshëm t’i ndajmë vlerat e BE-së”, tha Kasami.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sot votoi në SHF “Dimo Haxhi Dimov” në lagjen Vllae. “Sot qytetarët duhet të jenë të zëshëm, duhet me fletvotimin dhe me stilolapsin në dorë pas kutisë së votimit masivisht të dalin dhe të vendosin njëherë e përgjithmonë të mposhtin padrejtësitë në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Mickoski pas votimit. /Klan Maqedoni/

Të ngjashme
UKT