Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat e veriut të Kosovës ku u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas të dhënave të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” deri në orën 16:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje në këto katër komuna ishte 35% .

Në Zubin Potok 39% e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar deri në orën 16, në Zveçan 38%, Leposaviç 34%dhe Mitrovicë e Veriut 33%. Derisa janë evidentuar disa parregullsi, të cilat e kanë karakterizuar procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor.

Vëzhguesit kanë vërejtur se gjatë procesit të votimit janë lejuar disa qytetarë serb që të votojnë me dokumentacion të Serbisë.

Eugen Cakolli-Demokracia në Veprim: Është identifikimi i votuesve dhe votimi me dokumente të Serbisë që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionerëve.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka në një konferencë për media ka thënë se si komision u kanë dhënë instruksione komisionerëve dhe do të veprohet sipas ligjit.

Valdete Daka-Kryetare e KQZ-së: Disa komisionerë nuk e kanë pasur të qartë se me cilat dokumente lejohet të votohet. Gjithsesi nga KQZ-ja janë njoftuar dhe zyrtarisht kanë marrë instruksione se dokumente valide në Kosove janë dokumentet e Kosovës.

Ndërsa në  qendrën më të madhe të votimit në Mitrovicën e veriut ishte vendosur flamuri i shtetit serb.

Eugen Cakolli-Demokracia në Veprim: Në shumicën e rasteve, flamuri i shtetit serb është prezent, mirëpo nuk është evidentuar asnjë rast që ky flamur apo simbole të tjera kanë penguar qytetarët të komuniteti shqiptar apo komuniteteve të tjera që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Gjithashtu 23 raste janë evidentuar si votim familjar, ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 6 raste si dhe votim jashtë kabinës, janë vërejtur në pesë raste.

Nënkryetari i Listës Serbe ka shprehur bindjen se partia e tij do të triumfojë edhe në këto zgjedhje.

Igor Simiç-Nënkryetar i Listës Serbe: Jam thellë i bindur dhe të gjithë anëtarët e listës serbe se katër kandidatët e tanë do të arrijnë fitore të bindshme, jo për faktin se jam unë pjesë e listës serbe por e di që kjo është mënyra e vetme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në këto hapësira.

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiç, ka shprehur bindjen se transparenca në procese zgjedhore po rritet. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore janë rezultat i dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave të cilët i përkisnin Listës Serbe pas taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.

Tv Klan