Shqipëria është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë si një histori suksesi në zhvillimin e ankandeve të hapura, për ndërtimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Kështu u shpreh Zv/Kryeministrja Belinda Balluku gjatë ankandit fotovoltaik hibrid.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Energjisë: Ankandi hibrid që po konkludojmë sot është më i madhi i zhvilluar në vend dhe ku shteti shqiptar nuk angazhon asnjë aset shtetëror, ndaj dhe quhet hibrid. Nëse në dy ankandet e mëparshme, pra atij të Karavastasë dhe të Spitallës, shteti ka vendosur tokën në dispozicion të prodhimi të energjisë nga këto ankande, në këtë rast kemi një ankand hibrid, ku toka është siguruar nga subjektet e interesuara dhe nga ana tjetër shteti është vetëm blerësi i energjisë të prodhuar nga këto parqe, duke pasur parasysh që është një garë e hapur dhe shpresojmë që të arrijmë një çmim edhe sot konkurrues.
Balluku foli dhe për kriteret e këtyre ankandeve që duhet të respektojnë subjektet.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Energjisë: Duhet të keni parasysh që ky ankand ka pasur një kriter i cili lejon konkurrentët të hyjnë në garë me një park jo më të vogël se 10 megavatorë dhe jo më të madh se 100 megavatorë. Në këtë kontekst Ministria ofron për fituesin një kontratë shit-blerje të energjisë elektrike për një periudhë 15-vjeçare me një çmim të pandryshuar. Çmimi që do të përcaktohet do të jetë ai i propozuar nga ofertuesit e përzgjedhur. Në çdo rast çmimi nuk mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur prej 59.97 euro për megavatorë.
Procedurat e zhvilluara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me projekte tashmë të konkretizuara, mundësojnë edhe të dhënat e para të ndikimit të tyre në rrjet, të nevojës për menaxhim të flukseve të energjisë apo edhe nevojës së diversifikimit te saj.
Klan News