Me grumbullime të mëdha të qytetarëve dhe pa respektim të masave kundër Covid-19, partitë politike në Kosovë po përmbyllin fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Vëzhguesit i kanë kritikuar partitë për standarde të dyfishta në zbatimin e masave kundër koronavirusit ndërsa kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve pas zgjedhjeve.

Sipas vendimit të fundit të qeverisë së Kosovës për masat kundër Covid-19, nuk lejohen grumbullime të më shumë se 50 personave në mjedise të mbyllura ndërsa në hapësira publike jo më shumë se 80 persona.

Autoritetet thanë sot se po bëjnë përgatitjet e fundit për të siguruar një proces të qetë e të lirë të zgjedhjeve.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se tashmë ky komision është i gatshëm për ditën e zgjedhjeve ndërsa u bëri thirrje pjesëmarrësve që t’iu përmbahen ligjeve të vendit dhe të mos keqpërdorin procesin zgjedhor.

“Ftoj të gjitha subjektet politike, të gjithë votuesit, të gjtihë ata të cilët në ditën e zgjedhjeve kanë rol në ktë proces që t’i përmbahen rregullave të KQZ-së, ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe Kushtetutës së Kosovës dhe të kontribuojnë që edhe njëherë të dëshmojmë se si shtet i ri jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të pranueshme për të gjithë nga ata të cilët janë pjesë e procesit zgjedhor dhe të cilët janë në garë”, tha zonja Daka.

88 prokurorë të Kosovës do të jenë të përshirë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit për të siguruar mbarvajtjen e proceit të votimeve. Bashkërenduesja e procesit të zgjedhjeve, Laura Pula tha sot se prokurorët do të jenë të përfshirë në të gjithë procesin.

“Jemi gardianë të mbrojtjes së votës së lirë të sovranit të Republikës së Kosovës duke mos kursyer askënd që synon të prishë këtë proces zgjedhor, me qëllimin e vetëm që Kosova sikurse edhe viteve tjera të jetë shtet demokratik, me zgjedhje të lira dhe fer”, tha ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë ndërkaq për herë të parë pa mbështetjen e misionit të OSBE-së procesin e votimit në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Zgjedhjet e 14 shkurtit përveç formimit të qeverisë duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Për këtë post kandidaturën e kanë shpallur Vjosa Osmani që është në koalicion me lëvizjen Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Vëzhguesit thonë se zgjedhja e presidentit të ri do të jetë e vështirë për shkak të numrave të kërkuar ndërsa e shohin partinë e Ramush Haradinaj si çelës për këtë sfidë dhe për këtë arsye partia e tij nuk ka fare kandidat për postin e kryeministrit.

28 subjekte politike nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, do të konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa afër një milion e 800 mijë votues kanë të drejtë vote./VOA