I ngritur në 15 Mars të vitit të kaluar, Komisioni Hetimor Parlamentar për ish-Ministrin Tahiri përfundoi mandatin. Në afro 10 muaj u zhvilluan vetëm pak seanca, ndonëse Kuvendi kishte shtyrë afatin me 3 muaj. Kërkesa e opozitës për ta zgjatur edhe me 3 muaj të tjerë punimet e këtij Komisioni u rrëzua në Konferencën e Kryetarëve.

“Do dorëzojmë një tjetër kërkesë. Ka emrin e Tahirit Komisioni, por lidhet me fenomenin, me emrat që kanë qenë dhe janë sot në qeveri. Hetimet do bëhen nga Rama e deri te Taulant Balla, jo vetëm për Tahirin. Lidhjet e qeverisë me krimin vijojnë të jenë problem madhor”,

deklaroi Paloka.

Mospranimin e kërkesës për shtyrje të afatit të komisionit ekzistues, Taulant Balla e justifikoi me bojkotin e opozitës, ndërsa u shpreh i hapur për të pranuar kërkesën e re të opozitës.

“PD bashkë me LSI të sjellin në formën siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji kërkesën përsëri, me qëllim që të vijojë procesi hetimor siç e duan ata. Por në asnjë rast, qoftë Kushtetuta, qoftë ligji për komisionet hetimor, Rregullorja e Kuvendit nuk do të shkelet nga ana jonë se PD ishte në gjumë për dy muaj me radhë. Apeli im ka qenë, meqenëse nesër ngrejmë një tjetër komision hetimor të kërkuar nga Meta, kjo çështje të ndiqet, të hetohet sa më shpejt. Në 5 vitet e fundit i vetmi komision që ka dalë me raport është një i drejtuar prej nesh”,

tha Balla.

Opozita thotë se kërkesën për ringritjen e Komisionit Hetimor do ta depozitojë brenda pak ditësh.

Tv Klan