Ema Andrea, Genc Fuga, Laert Vasili dhe Hervin Çuli kandidojnë mes njëri-tjetrit për Drejtor të Teatrit Kombëtar.

12 Marsi është dhe dita e fundit e dorëzimit të kandidaturave, që deri më tani janë zyrtarisht tre të tilla, për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm teatror në vend.

Andrea dhe Fuga e shprehën ambicien e tyre për drejtor njëherësh me nisjen e protestave të artistëve për të ardhmen e godinës dhe trupës së Teatrit Kombëtar. Hervin Çuli, drejtori i komanduar i Teatrit Kombëtar konkurron për një mandat të dytë.

Në objektivat artistike, një nga pikat e kërkuara dhe që prej vitesh ngrihet si shqetësim nga komuniteti i artistëve është zhvillimi i dramaturgjisë shqipe, ndërsa në politikat kulturore parësore mbetet “Edukimi përmes artit”.

Emërimi i drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar vjen në një çast debatesh mes vetë aktorëve dhe regjisorëve dhe këta të fundit me Ministrinë e Kulturës.

Në takimin e fundit të mbajtur në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, ata të përgjysmuar në numër, kërkuan një diskutim publik për projektligjin e ri për artin dhe kulturën dhe transparencë për godinën e re të Teatrit Kombëtar.

Drejtuesi i ri në rastin kur mund të jetë midis Ema Andreas, Genc Fugës dhe Laert Vasilit, veç të tjerash, i duhet të vendosë ekuilibra të rinj mes komunitetit të artistëve dhe Ministrisë së Kulturës.

Në rastin e Hervin Çulit, ndryshimi i vetëm për të do të jetë se do të menaxhojë dy skena, atë të Teatrit Kombëtar deri në 2020, kur është parashikuar të ekzistojë dhe “Turbinës”, e cila që nga Maji do të jetë edhe në shërbim të skenës teatrore kombëtare.

Tv Klan