Pronari nën hetim, zhvillonte aktivitetin pa licencë

Policia e Tiranës ka mbyllur kopshtin jo publik “Stinët” ku emisioni STOP në TV KLAN denoncoi dhunimin e të miturës 3-vjeçare nga edukatorja, tashmë e vënë në hetim. Gjithashtu në funksion të hetimeve që po kryhen uniformat blu kanë nisur hetim për pronarin, Daniel Danushi.

Ky veprim është ndërmarrë pasi kopshti ku u regjistrua ngjarja e rëndë ka rezultuar se ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse, e për rrjedhojë ka dyshime se janë fshehur të ardhurat e përfituara. Në këto kushte për pronarin e kopshtit “Stinët” janë referuar veprat penale, penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Për ngjarjen e rëndë të denoncuar publikisht nga nëna e 3-vjeçares së dhunuar, që shkaktoi dhe thyerjen e këmbës reagoi dhe Ministria e Arsimit. Kjo e fundit tha se është ngritur një task forcë për të të verifikuar ligjshmërinë e të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitete në shërbim të fëmijëve.

Ndërkohë sa i takon veprimeve hetimore, me argumentin se nuk kanë kryer këqyrje të kamerave të sigurisë së kopshtit pas marrjes së denoncimit janë pezulluar nga detyra 3 zyrtarë policie të komisariatit 1 të kryeqytetit.   

Tv Klan