Varhelyi: Skeptikët nuk kanë arsye për të qenë kundër hapjes së negociatave

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ishte i qartë në konferencën përmbyllëse të samitit të Zagrebit për mbështetjen për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje për Plenkoviçin, ky vendim u vonua së tepërmi.

Por një datë të saktë, për hapjen e negociatave të antarësimit për dy vendet ende nuk ka. Siç argumentoi komisioneri për zgjerimin Oliver Varheji në një intervistë para samitit për Deutsche Welle, dhënia e një date është e vështirë për shkak të angazhimit të krerëve të unionit me krizën e koronavirusit. E sigurtë sipas tij është se një datë do të ketë kur të publikohet progres-raporti vjetor i radhës.

Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor sipas Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen është shprehur veçanërisht me ndihmën që po i jep unioni, vendeve të rajonit për të kapërcyer krizën e shkaktuar nga pandemia e COVID-19-ës. Von der Leyen tha ndër të tjera se BE i ka përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor në nisma ku zakonisht përfshihen vetëm vendet anëtare.

Por Von der Leyen nuk harroi pa përmendur dërgimin e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria për të ndihmuar një vend anëtar të rëndësishëm të unionit si Italia në kapërcimin e situatës së vështirë me të cilën u përball gjatë kësaj pandemie, duke qenë vatra e përhapjes në Europë të koronavirusit.

Një tjetër vendim që fakton rëndësinë që i kushton Bashkimi Europian, Ballkanit Perëndimor sipas Presidentes së Komisionit Europian, është edhe fondi prej 3.3 miliardë eurosh për vendet e rajonit si ndihmë për përballimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat negative që ajo pritet të ketë.

Tv Klan