Mbyllet pa marrëveshje takimi Kurti-Vuçiç




Mbyllet pa marrëveshje takimi Kurti-Vuçiç

19:45 19/07/2021

Akuza të ndërsjella për bllokim të bisedimeve

U mbyll pa asnjë marrëveshje edhe takimi dytë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç i zhvilluar këtë të hënë në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian. Pas takimit Kurti tha se propozoi një marrëveshje me 6 nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por ajo u refuzua “ende pa u lexuar” nga pala serbe.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”.

Por presidenti serb tha se takimi me Kurtin ishte më i keqi që kishte pasur në procesin e dialogut pasi pala kosovare bëri hapa pas duke refuzuar madje edhe propozimet e Brukselit.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të kishim një takim më të keq, por sot u binda se ishte e mundur. Ai u kthye në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar. Nuk e di se çfarë do të bëjmë.”

Kurti i hodhi poshtë deklaratat e Vuçiç duke e konsideruar atë peng të së kaluarës.

“Kjo është gënjeshtër. Pra, ai që ua ka thënë këtë… Ai po gënjen. Përkundrazi, ne kemi kërkuar që të futet edhe fjala paqe dhe stabilitet, jo vetëm siguri”.

Palët zhvilluan takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Pas takimit ai tha se palët janë thellësisht të ndara dhe se u bë fare pak progres në arritjen e një marrëveshjeje.

Tv Klan





Të ngjashme