Mbyllet pa rezultat takimi i liderëve

Mbyllet pa rezultat takimi i liderëve

21:54 11/09/2019

Akuza të ndërsjella për dështimin e negociatave

Takimi 8-orësh mes liderëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së Zoran Zaev me ekipet e tyre, nuk solli ndonjë rezultat në negociatat për Ligjin për Prokurori Publike.

Që në mëngjes kanë filluar akuzat e ndërsjella, se cili nuk ka qenë konstruktiv, kush ka mbrojtur krimin dhe kush ka qenë kundër BE-së dhe NATO-s. Pas më shumë se 8 orë diskutim, pushteti dhe opozita deklaruan se marrëveshje nuk ka.

Kryeministri Zoran Zaev ka propozuar që të formohet Prokurori e veçantë që do të jetë në të njëjtin nivel si ajo për krim të organizuar, që do të hetojë korrupsionin e lartë. Shefi i kësaj prokurorie të jetë i propozuar nga opozita, por problemi ka qenë në kërkesën e opozitës, të cilët kanë kërkuar që të gjitha lëndët e PPS-së të kalojnë tek kjo prokurori.  

“Krejtësisht në kundërshtim me principet e sundimit të së drejtës, kërkonin që të gjitha lëndët e hapura deri më 30 Qershor 2017 t’i marrë prokuror që ata do ta zgjidhnin. E dihet pse, që më pas lëndët të anulohen dhe të shkatërrohen. Kërkonin që me ligj të ndalohen të gjitha hetimet për të gjitha lëndët të hapura pas 30 Qershorit, gjegjësisht kërkonin që mos të precizohet qartë në ligj se çfarë do të ndodhë me ato lëndë që janë në fazë para-hetimore, apo hetimore”, tha Kryeministri.

Zaev siguroi se të gjitha lëndët e PPS-së janë të sigurta, për shkak se po transferohen në Prokurori Publike, e më pas kryeprokurori Jovevski do t’i shpërndajë tek prokurorët përkatës.

Nga opozita thonë se e papranueshme ka qenë kërkesa e Kryeministrit që prokurorët e Speciales të transferohen tek prokuroria e re. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se Zaev praktikisht ka propozuar Prokurori Speciale të re.

“Zoran Zaev propozoi formimin e një Prokurorie për ndjekjen e korrupsionit të lartë, që do të ishte në nivel të njëjtë sikurse Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, kurse prokurorin ta propozojë opozita. Këto dhjetë ndihmës të Katica Janevës, së bashku me rastet e PPS-së të inkorporohen në këtë institucion, pa u respektuar ligji për prokurori, ku këshilli i përcakton prokurorët”, është shprehur Mickoski.

Këtu nuk është edhe fundi definitiv i bisedimeve thonë të dyja palët. Nëse propozohet ndonjë zgjidhje kreative, ata do të ulën sërish të bisedojnë. Mickoski prezantoi edhe disa dokumente, që ai thotë se janë dokumente nga ekspertiza për rastin “Zhvatja” e ku përmenden edhe funksionarë të pushtetit. Ai tha se do ta ndjekin situatën dhe nuk hedhin poshtë mundësinë që t’i publikojnë.         

Tv Klan

Të ngjashme