21:28 –Mbyllet pas rreth 2 orë e 30 minutash protesta e 6-të kombëtare e opozitës së bashkuar, ku u kërkua largimi i Kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Protesta u zhvillua kryesisht e qetë dhe pa incidente, me përjashtim të një episodi para Kuvendit, ku protestuesit sulmuan me gurë policinë, e cila u kundërpërgjigj me ujë me presion.

Protesta nisi në orën 19:00 para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u zhvendos më pas para Kuvendit dhe u mbyll me fjalimin përmbyllës të Kryetarit të PD, Lulzim Basha në selinë e PD.

21:20 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Europa, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’i dhënë fund parlamentit të krimit, e vetmja rrugë për të hapur dyert e Europës.

Shkaktari do të largohet, vetëm kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Tani këtë e di dhe Europa, e di bota. Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që e nuk e pranojnë të keqen, po shkon drejt konkluzionit , drejt çlirimit të Shqipërisë nga krimi, po shkon drejt stacionit tonë për Shqipërinë si gjithë Europa. Teksa zëri ynë u dëgjua dhe bota hapi sytë, kërkesa ime është të qëndrojmë në këmbë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund.

21:12 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbërrin në Selinë e PD.

21:08 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga shumë protestues niset drejt Selisë së PD. Protestues të shumtë mbeten ende para Kuvendit.

21:04 – Autoboti i policisë sulmon me ujë me presion protestuesit me qëllim shpërndarjen e tyre nga para perimetrit të Kuvendit. Veprimi i policisë erdhi pasi disa protestues ndezën kartonë, u përpoqën të lëvizin kangjellat dhe sulmuan policinë me gurë. Nuk munguan as tymueset e hedhura nga protestuesit.

20:56 – Protestuesit mbërrijnë para godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Kur kanë kaluar rreth 2 orë nga nisja e protestës së 6-të kombëtare të opozitë së bashkuar, tubimi është zhvilluar i qetë. Megjithatë, brenda perimetrit të Kuvendit ndodhen forca të shumta policie në gatishmëri.

20:30 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u kërkoi të gjithë protestuesve që me dritat e celularëve të ndezur, t’i drejtohen të gjithë së bashku në një marshim Kuvendit të Shqipërisë.

19:58 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, flet para dhjetëra mijëra protestuesve: Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj në zërin tuaj, unë dhe gjithë Shqipëria, Europa dhe gjithë bota, shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: bëjeni ta dëgjojë gjithë bota.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Ky është mesazhi, kjo është aspirate që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt për herë të 6 në këtë shesh.

Nuk ka në Evropë kryeministër që kapet duke vjedhur zgjedhjet e mos të shporret një orë e më parë nga karrigia e të çohet para drejtësisë. Nuk ka në Evropë politikan që ta mbushë partinë e tij e grupin parlamentar me 19 përdhunues, vrasës e trafikantë dhe të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Standardet, vlerat dhe normat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës dhe të bandës së tij. Në këto 6 vite e gjysmë, vetëm krim, korrupsion e hajdutëri, babëzi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot e derisa të bëhet realitet, ka vetëm një mesazh nga populli: Rama ik.

Më lejoni në emër të të gjithëve, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit, për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, t’ju uroj nga zemra, Zoti jua shpërbleftë sakrificën. Zoti e shndërroftë këtë bekim hyjnor për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj. Ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për një minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hyjnor të sakrificës dhe të bindjes vetëm ndaj të Madhit Zot si autoriteti suprem i qenieve të tjera mbi tokë.

Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Në këtë orë vendimtare kur qytetarët evropiane u drejtohen kutive të votimit le t’i shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores. Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar t’i jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet t’i thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para Kushtetutës e t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit të demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik.

19:42 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga vajza e djem të forumit rinor, niset nga selia e PD për t’u bashkuar me protestuesit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shënuar kështu edhe nisjen zyrtare të protestës kombëtare të opozitës së bashkuar për largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Kjo është protesta e 6-të kombëtare e opozitës nga muaji Shkurt dhe e 3-ta vetëm në muajin Maj. Kjo tregon se me afrimin e datës 30 Qershor, të përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, shikohet se ka një intensifikim të aksionit opozitar.

19:03 – Opozita e bashkuar ka nisur protestën e saj të 6-të Kombëtare, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mijëra protestues opozitarë të mbledhur nga të katër anët e vendit, janë  mbledhur para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Organizatorët dhe Partia Demokratike mban ende sekret skenarin se si do të zhvillohet kjo protestë kombëtare. Sipas informacioneve të deri më tanishme, mësohet se do të ketë vetëm një fjalë të Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Sipas organizatorëve, kjo do të jetë protesta më e madhe kombëtare me kauzën e largimit të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Protestuesit kanë leje të qëndrojnë të tubuar deri në orën 24:00.

Kjo protestë vjen pak kohë pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Pak ditë më parë ka patur një deklaratë të deputetëve të CDU/CSU në parlamentin gjerman, të cilët janë angazhuar për ndërmjetësim dhe uljen e palëve në një tryezë dialogu për zgjidhjen e krizës politike. Ata janë shprehur për një tryezë ku të diskutohet çdo temë, madje kanë sugjeruar edhe rishikimin e datës së zgjedhjeve.

Por gjatë këtyre ditëve kemi parë edhe shkëmbime letrash në distancë. Kryeministri Edi Rama i është drejtuar kryeopozitarit Basha me 4 letra, ku ka kërkuar dialog duke theksuar dy kushtet e tij të panegociueshme, refuzimin për tu larguar nga karrigia e Kryeministrit dhe refuzimin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Të premten, Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur i gatshëm për të rishikuar dekretin për mbajtjen e datës së zgjedhjeve dhe është shprehur i gatshëm për të lënë edhe mandatin e Presidentit.

Lideri i PD, Lulzim Basha, nga ana tjetër është përgjigjur me një letër adresuar qytetarëve, ku thotë se nuk ka asnjë hap pas nga beteja e nisur dhe se për ta janë të panegociueshme edhe dy kushtet ku përfshihet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore.

Ashtu si në të gjitha tubimet e opozitës, policia ka rrethuar me gardh metalik institucionet ku pritet të kalojnë protestuesit. Jo zyrtarisht thuhet janë angazhuar  1 500 forca policie për mbarëvajtjen e protestës, por plani i bluve mbahet sekret.

Shtylla e ndriçimit, por edhe aty ku janë të instaluara kamerat e sigurisë, janë lyer me graso, në mënyrë që protestuesit të mos kenë mundësi të hipin në to, për të dëmtuar kamerat e sigurisë.

Forcat e policisë janë të dislokuara para Kuvendit, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. /tvklan.al