Rezultuan pozitive 6 punonjës të këtij institucioni

“Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës është mbyllur për shkak se të gjithë  punonjësit, mjekë dhe ndihmësmjekë, janë urdhëruar të karantinohen në shtëpi pas disa rasteve pozitive me Covid-19 të kolegëve të tyre.”

6 punonjës të këtij institucioni, përfshirë edhe shoferin që i shoqëron gjatë kryerjes së detyrës kanë rezultuar pozitiv. Janë pikërisht këta punonjës që kryejnë marrjen e tamponëve, bëjnë gjurmimin e rasteve të dyshuara, si dhe kontrollojnë zbatimin e protokolleve të sigurisë kundër përhapjes së virusit.

Kjo ka vënë në vështirësi këtë shërbim, që pritet të bëjë zëvendësimin e punonjësve me qëllim që zinxhiri i gjurmimit epidemiologjik të mos ndërpritet në qytetin e Durrësit.

Me kapacitet të reduktuar po funksionojnë edhe shërbime të tjera në të gjithë Drejtorinë e Higjienës, ku ndodhet edhe njësia e mbyllur.

Masat drastike janë marrë pasi punonjësit e prekur, kanë kontakte të shpeshta me kolegët dhe bashkëpunëtorët e tyre, si dhe me qytetarët për shkak të gjurmimit epidemiologjik.

Durrësi renditet qyteti i dytë pas Tiranës, me numrin më të madh të rasteve aktive, që kapin shifrën e 201.

Tv Klan