Rama: Nismë për të ardhmen. Refuzimi i Kosovës, i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë atë

Edhe Samiti i Tiranës nuk ia doli që t’i bëjë bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Bosnje Hercegovina nuk iu përgjigjën ftesës së bërë nga kryeministri Rama. Argumentet refuzues nuk ishin të njëjtët për të dy shtetet.

Presidenti Thaçi tha se ishte Serbia dhe qëndrimi i saj në raport me luftën dhe shtetin e Kosovës. Por për kryeministrin Rama këto çështje nuk mund të jenë arsye thelbësore për t’iu bashkuar kësaj iniciative rajonale që më së shumti dëmton vetë Kosovën që nuk u bë pjesë e saj.

Presidenti Vuçiç thotë se nisma është vetëm në favor të qytetarëve dhe rreshtoi disa nga projektet konkrete të dakordësuara.

Presidenti i Malit të Zi që iu bashkua mëngjesin e kësaj të shtune 3 liderëve të Shqipërisë, atij të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut përjashton çdo mundësi që ky format të shihet nga BE si një union ballkanik. Prania e drejtores për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në KE, por dhe përfaqësuesve të DASH-it dhe BERZH-it, Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Investimet për të 4 liderët veçse konfirmon mbështetjen e këtyre institucioneve për bashkëpunimin rajonal në Ballkan.

Përpara takimit, 4 liderët vizituan zonën e Durrësit, e prekur më rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit. Përveç solidaritetit, Presidenti serb lajmëroi se të hënën qeveria serbe do të marre vendim për të mbështetur financiarisht qeverinë shqiptare për ndërtimin e 100 banesave.

Tv Klan